Janjiq: Serbia de fakto e ka njohur Kosovën
Analisti serb, Dushan Janjiq, ka folur në një intervistë për RTK-në për çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë si dhe për asociacionin.
Janjiq ka thënë se Serbia de fakto e ka njohur Kosovën, por që me sulmin në Banjskë ka rrënuar gjithçka. Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Janjiq deklaron se ai ishte ofruar keq.
Dialogu për normalizimin mes Kosovës dhe Serbisë ka humbur përmbajtjen politike dhe është reduktuar në takime formale pa rezultate, ka vlerësuar Janjiq.
Edhe pse, sipas tij, dialogu është thelbësisht i bllokuar, në marrëdhëniet e Serbisë ndaj Kosovës shumë çështje kyçe tashmë janë faktikisht të zgjidhura.
“Në këtë proces, Serbia e ka njohur de facto Kosovën. Kjo është e përfshirë në marrëveshje dhe në dokumente. Narrativi për ‘mosnjohjen’ shërben vetëm për përdorim të brendshëm. Beogradi nuk ka më çfarë të ofrojë, me sulmin në Banjskë gjithçka është dorëzuar”, ka thënë Janjiq.
Megjithatë, sipas Janjiqit, problemet kyçe politike mbeten të pazgjidhura. Ai vlerëson se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është vendosur gabimisht që në fillim dhe nuk mund të ofrojë një zgjidhje të qëndrueshme.
“Asociacioni i komunave me shumicë serbe, në këtë formë, nuk është i realizueshëm. Kosova tashmë është e decentralizuar dhe modeli etnik përfaqëson një dështim politik. Pa status institucional të qartë dhe mbrojtje reale të të drejtave të komunitetit serb, Kosova nuk ka një rrugë serioze drejt Këshillit të Evropës. Ekzistojnë modele, madje edhe Kurti ka përmendur modelin kroat si të pranueshëm për vetëqeverisjen e pakicave”, ka thënë Janjiq.
Janjiq ka vlerësuar se dialogu, në formatin aktual, nuk mund të ringjallet pa një ndryshim thelbësor të qasjes, prandaj procesi i normalizimit ka mbetur i bllokuar, pa asnjë përparim real.
“Viti 2025 kaloi me kafe në vend të dialogut. Ajo që po bën tani fasilitatori i ri është një përpjekje burokratike për të ringjallur diçka që nuk mund të ringjallet, në këtë formë”, ka nënvizuar Janjiq.
Sipas Janjiqit, edhe pse Bashkimi Evropian mbetet formalisht lehtësues i dialogut, nevojitet një angazhim dukshëm më i fortë politik i Quint-it, veçanërisht i Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar. Pa qasje të drejtpërdrejtë dhe presion politik nga këta aktorë, procesi do të mbetet i bllokuar në “status quo”./RTK



