Japonia shpërndan parlamentin, zgjedhje të parakohshme më 8 shkurt
Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, ka shpërndarë parlamentin të premten, duke hapur rrugën për zgjedhje të parakohshme që do të mbahen më 8 shkurt.
Vendimi u formalizua me leximin e një letre nga kryetari i parlamentit, ndërsa deputetët brohoritën me thirrjen tradicionale “banzai”. Me shpërndarjen e Dhomës së Ulët me 465 anëtarë, fushata zgjedhore 12-ditore do të nisë zyrtarisht të martën, raporton “Al Jazeera”.
Takaichi, e zgjedhur në tetor si kryeministrja e parë grua në historinë e Japonisë, ka qenë në detyrë vetëm tre muaj, por gëzon mbështetje të lartë publike, rreth 70 për qind. Ajo synon të shfrytëzojë popullaritetin personal për të forcuar pozitën e partisë së saj në pushtet.
Koalicioni qeverisës i Partisë Liberaldemokrate dhe Partisë së Inovacionit të Japonisë mban aktualisht një shumicë të ngushtë në Dhomën e Ulët.
Sipas analistëve, megjithatë, mbetet e paqartë nëse popullariteti i kryeministres do të përkthehet në mbështetje për partinë. Çështjet kryesore të fushatës pritet të jenë inflacioni dhe rritja e çmimeve, si dhe siguria rajonale.
Tensionet me Kinën janë rritur muajt e fundit, pasi Takaichi ka deklaruar se Japonia mund të përfshihet në rast të një veprimi ushtarak kinez ndaj Tajvanit, çka ka sjellë reagime të ashpra diplomatike dhe ekonomike nga Pekini.



