
Jashari: Gjykata Speciale po përpiqet ta njollosë luftën tonë çlirimtare
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari ka thënë se vazhda e protestave për të kundërshtuar Gjykatën Speciale, sipas tij po bëhen pasi kjo gjykatë, sipas tij, po sulmon dhe po përpiqet të njollosë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një konferencë të mbajtur në Tiranë, Jashari ka thënë se lufta e lavdishme e UÇK-së dhe mbështetja për çlirimtarët, sipas tij, ka përmasë kombëtare.
“Ne në vazhdën e protestave për të kundërshtuar padrejtësinë, jo vetëm se krerët e UÇK-së mbahen padrejtësisht atje, por nga kjo gjykatë është duke u sulmuar dhe duke u bërë përpjekje për të njollosur dhe barazuar luftën tonë të drejtë dhe të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe mendoj që populli dhe kombi shqiptar kudo që janë duhet të reagojnë, sepse lufta e lavdishme e UÇK-së ka përmasë kombëtarë. Dhe jo vetëm kjo luftë, por kurdo herë në historinë shqiptare kur ka qenë organizim për të mbrojtur për të luftuar, nuk e kanë bërë vetëm për liri e çlirim, por edhe për bashkim”, ka thënë Jashari.
Ndryshe, protesta e radhës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së do të mbahet në Tiranë më 17 tetor.