
Jashari: Milani meriton të jetë në majë, humbja na tregoi rrugën e vështirë
Debutimi në Serie A nuk ishte ajo që ëndërronte Ardon Jashari, i cili përjetoi humbjen zhgënjyese ndaj Cremoneses. Megjithatë, mesfushori i ri i Milanit e sheh këtë nisje si një mësim të vlefshëm: “Është gjithmonë e rëndësishme të fillosh mirë, sidomos në një klub të madh si Milani. Ndoshta është më mirë që kjo humbje erdhi që në javën e parë, sepse e kuptojmë menjëherë sa e vështirë do të jetë. Për disa nuk është diçka e re, por për të gjithë ishte një lloj zgjimi”.
Një nga emocionet më të mëdha të tij është të ndajë fushën me Luka Modriqin, një kampion që sipas Jasharit bën diferencën brenda dhe jashtë fushe: “Është diçka e veçantë të luash pranë tij. Ne e shijojmë praninë e Modriqit dhe kemi shumë për të mësuar nga ai”.
Sa u përket objektivave, Jashari thekson se fjala “Champions” nuk përmendet shpesh brenda grupit, por të gjithë e dinë qartë qëllimin: “Milani duhet të jetë në krye të renditjes. Nëse fitojmë sa më shumë ndeshje, atëherë edhe Liga e Kampionëve do të vijë vetvetiu”.
I pyetur për stilin e tij të lojës, 21-vjeçari tregon filozofinë që e udhëheq: “Jam një lojtar që dua gjithmonë të fitoj dhe të përmirësohem, qoftë si individ, qoftë si pjesë e skuadrës. Dua që shokët të kenë besim tek unë në çdo situatë, me topin apo në aspektin taktik”.
“Mund të luaj si numër 6 ose 8, sipas kërkesës së trajnerit. Për mua nuk ka rëndësi pozicioni, por çfarë kërkon trajneri. Jam i bindur se mund ta ndihmoj skuadrën si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në atë ofensive”, ka deklaruar Jashari.