
Java e fundit e fushatës elektorale, qytetarët votojnë këtë të diel
Pas katër vjetësh nga zgjedhjet e fundit lokale, qytetarët e Kosovës do të kthehen sërish në kutitë e votimit të dielën e ardhshme, më 12 tetor, për të zgjedhur drejtuesit e rinj të komunave të tyre.
Në këto zgjedhje, qytetarët do të vendosin për 38 kryetarë komunash dhe anëtarët e 38 kuvendeve komunale në mbarë vendin.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se është drejt përfundimit të përgatitjeve finale për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në gjithsej 2.625 vendvotime në të gjithë territorin e Kosovës.
Sipas listës përfundimtare të votuesve, 2.025.105 qytetarë kanë të drejtë vote brenda vendit, ndërsa 43.993 votues jashtë Kosovës janë regjistruar për të shfrytëzuar të drejtën e tyre përmes postës.
Ndërkohë, kanë mbetur edhe gjashtë ditë deri në hapjen e kutive të votimit, ndërsa partitë politike dhe kandidatët lokalë kanë hyrë në javën e fundit të fushatës, e cila pritet të kulmojë me takime e tubime përmbyllëse nëpër qytete.
Kujtojmë se Kosova ende nuk ka arritur të formojë institucionet e reja qendrore, edhe pse kanë kaluar shtatë muaj nga zgjedhjet parlamentare.