‘Jeni shumë të dobët’, Bajrami përplaset me Vitinë dhe Kusari-Lilën për çmimet e barnave e naftës
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është përplasur sot në Kuvend me deputeten e LDK-së, Hykmete Bajrami, sa i përket ligjit për çmimet e barnave.
Vitia ka thënë se “shumica e milionerëve farmaceutikë” janë krijuar gjatë qeverisjes së LDK-së.
Ministri i Shëndetësisë ka thënë se ligjin për barnat nuk ka pasur guxim ta bëjë asnjë qeveri tjetër.
Lidhur me këtë, i është kundërpërgjigjur edhe deputetja e LDK-së, duke i thënë Vitisë se, kur flet me zë të ultë e gjuhë të moderuar, “s’mund ta fshehësh krimin dhe korrupsionin”.
“Jeni qeveria që i keni bërë 4 mijë tenderë njëburimorë. Ti e ke pasur njërin në grupin punues që ta ka hartuar listën e barnave esenciale, më vonë ka dalë te kompania që fiton miliona euro tenderë. Këto janë të dhëna publike, s’e njoh asnjërin personalisht”, ka thënë Bajrami.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, është përplasur edhe me ministren Mimoza Kusari-Lila sa i përket asaj që po ndodh me çmimet e naftës, duke i thënë se flet me ton, ashtu siç ia kërkon partia.



