Japin dorëheqje disa anëtarë të Kryesisë së Guxo-s në Pejë
Pas zhvillimeve në Degën e Deçanit, dorëheqje nga strukturat e tyre kanë dhënë edhe anëtarë të Kryesisë së Partisë Guxo në Pejë.
Në një njoftim, anëtari i kësaj partie Ruzhdi Blakaj, ka bërë me dije se largimi nga partia lidhet për siç ka thënë mungesën e përkrahjes ndaj presidentes Vjosa Osmani nga ana e strukturave të kësaj partie në Pejë.
Në reagim është thënë se është shqetësues qëndrimi i zëvendëskryeministres dhe bashkëkryetares së Guxo-s, Donika Gërvalla, për të cilën pretendohet se ka lobuar kundër rizgjedhjes së Osmanit në postin e presidentes.
Sipas deklaratës së tyre, është e papranueshme që brenda të njëjtit subjekt politik të mos ketë mbështetje për një presidente që, sipas tyre, ka treguar integritet dhe angazhim të vazhdueshëm për shtetin, veçanërisht në fushën e politikës së jashtme.
“Për këto arsye, në shenjë kundërshtimi ndaj kësaj qasjeje dhe në mbrojtje të parimeve që përfaqësojmë, kemi vendosur të japim dorëheqje nga Partia Guxo – Pejë dhe të vazhdojmë ta mbështesim presidenten Osmani në çdo vendim të saj të mëtejmë”, është thënë në njoftim.
Deklarata është nënshkruar nga Nezir Jahmurtaj, Ruzhdi Blakaj, Ramiz Cukaj dhe Feriz Gashi, të cilët kanë qenë anëtarë të Kryesisë së Degës së Guxo-s në Pejë dhe njëkohësisht pjesë e Këshillit të Përgjithshëm të partisë.
Në fund të reagimit është theksuar se dorëheqja vjen edhe për shkak të, siç është thënë, mosdorëheqjes së dy bashkëkryetarëve të partisë, Faton Peci dhe Donika Gërvalla.



