Jep dorëheqje drejtoresha ekzekutive e platformës X

09 korrik 2025 | 21:40

Linda Yaccarino largohet nga posti i drejtoreshës ekzekutive të X pas dy vitesh në krye të kësaj platforme sociale që është në pronësi të njeriut më të pasur në botë, Elon Musk.

Lajmi vjen një ditë pasi inteligjenca artificiale e Muskut u përfshi në një skandal, kur chatbot-i Grok, i zhvilluar nga kompania e tij xAI, gjeneroi postime në platformën X që shprehën admirim për Adolf Hitlerin dhe promovuan përmbajtje antisemitike.

Kujtojmë se kompania e Musk-ut për inteligjencë artificiale, xAI, në fund të marsit bleu X-in për 33 miliardë dollarë.

Ky veprim bashkoi zyrtarisht dy entitete që tashmë ishin ngushtësisht të lidhura, por njëkohësisht ngriti pyetje mbi rolin e ardhshëm të Linda Yaccarino.

Yaccarino njoftoi largimin e saj në një postim në X, duke thënë se është “jashtëzakonisht mirënjohëse” Muskut që i “besoi përgjegjësinë për të mbrojtur lirinë e shprehjes dhe për të transformuar X-in në një aplikacion për të gjithë”.

“Më e mira ende nuk ka ardhur, pasi X hyn në një kapitull të ri me xAI. Do të jem gjithmonë me ju ndërsa vazhdoni të ndryshoni botën,” shkroi ajo.

Ajo nuk e dha një arsye për largimin, por një burim pranë saj konfirmoi për NBC News se kishte menduar për këtë hap prej më shumë se një jave.

Musk komentoi largimin e saj duke thënë “Faleminderit për kontributin.”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës synon rikthimin në pushtetin lokal në…