
Jesper Ostlund selektor i ri i Kosovës, Zhuta ndihmës i tij
Jesper Ostlund është selektor i ri i Kombëtares së Kosovës në hendboll (meshkujt). Suedezi Ostlund është prezantuar të martën në konferencën për media të mbajtur në Prishtinë.
Ostlund ka karrierë të suksesshme si trajner në Suedi, ndërsa tani do ta drejtojë edhe Kombëtaren tonë.
Ai e udhëheq prej vitit të kaluar skuadrën elitare të Suedisë, Hallby, me të cilën ka arritur suksese historike. Hallbyn e ka drejtuar edhe prej vitit 2018 deri në vitin 2022. Më pas për dy vjet ishte trajner i klubit të njohur suedez, Savehof. Me Savehofin i fitoi dy tituj të kampionit dhe dy kupa të Suedisë në konkurrencë të femrave.
Ka drejtuar me sukses të plotë edhe Kombëtaret e grupmoshave të reja të Suedisë.
Konferencën për shtyp e hapi presidenti i FHK-së, Edin Kolgeci. Ai falënderoi shtabin teknik të deritashëm, që udhëhiqej nga Bujar Qerimi. Ka vlerësuar punën e Qerimit dhe ndihmësve të tij, por ka theksuar se është vendosur për trajner tjetër me synim për ta ngritur Kombëtaren në nivel edhe më të lartë.
Kolgeci ka prezantuar para gazetarëve disa prej sukseseve të selektorit të ri, Ostlund, dhe asistentit të tij, Jasmin Zhuta.
Ostlund në edicionin e kaluar e ka udhëhequr për herë të parë në histori Hallbyn drejt plejofit të kampionatit suedez. Në vitin 2020 u shpall trajner i vitit në Suedi, në konkurrencë të meshkujve. Hallbyn e promovoi në elitë pas 53 vjetësh, në vitin 2019.
Me Savehovin ishte trajner në Ligën e Kampionëve, ndërsa me Kombëtaret e reja të Suedisë kishte vend të katërt, të pestë, të gjashtë e të shtatë në Kampionate Evropiane.
Jasmin Zhuta po ashtu ka karrierë impresive në Suedi. Ka drejtuar klube të ndryshme dhe shquhet për punën individuale.
Zhuta është shqiptar me prejardhje nga Maqedonia e Veriut. Ai është krenar që do të punojë te Kosova.
Ostlund ka folur për synimet me Kosovën. Ka thënë se synimi kryesor është kualifikimi në një ngjarje të madhe, Evropian apo Botëror.