
‘Jeta private e ndërlikuar’, Hamilton: Karriera mbi gjithçka
Legjenda e Formula 1, Lewis Hamilton, ka zbuluar së fundmi se ka bërë një zgjedhje të vetëdijshme në jetën e tij, të vendosë karrierën dhe suksesin në pistë përpara jetës personale dhe marrëdhënieve romantike.
Që prej lidhjes së Hamiltonit me këngëtaren e famshme Nicole Scherzinger, 40-vjeçari nuk ka dalë kurrë publikisht me një të dashur të re.
Pas një romance me ulje-ngritje që zgjati shtatë vjet, çifti vendosi t’i japë fund përfundimisht marrëdhënies së tyre në vitin 2015.
Që prej atëherë, jeta e tij romantike ka qenë e paqartë, ndërkohë që ylli i F1 ka fituar katër nga shtatë kampionatet e tij botërore pas ndarjes. Së fundmi, thashethemet se ai është në një lidhje me këngëtaren pop Raye janë shtuar, pasi kjo e fundit është parë në garazhin e Ferrarit në Silverstone. Por, në një intervistë për median franceze RTBF, Hamilton është shprehur se e ka lënë mënjanë jetën e dashurisë prej kohësh, pasi është diçka “shumë e ndërlikuar” për t’u menaxhuar në ditët e sotme.
“Po, është shumë e ndërlikuar, sidomos në botën e sotme. Shoh pilotë të tjerë dhe pyes veten si ia dalin. Disa janë të martuar, kanë fëmijë apo të dashura. Unë kam zgjedhur ndryshe të përqendrohem maksimalisht te koha që kam këtu, sepse është më e shkurtër sesa mendon”, ka thënë Hamilton.