Jeton Koca jep dorëheqje nga pozita e prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), nën kryesimin e Arian Gashit, ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm, në të cilin janë shqyrtuar çështjet e parapara sipas rendit të ditës.
Pas diskutimeve dhe shqyrtimit të materialeve përkatëse, KPK-ja ka marrë disa vendime.
Këshilli miratoi dorëheqjen e prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton Koca. Në përputhje me procedurat ligjore në fuqi, KPK-ja do t’i përcjellë Presidencës së Republikës së Kosovës propozimin për dekretimin e dorëheqjes së tij nga funksioni i prokurorit.
Po ashtu ky këshill ka miratuar dorëheqjen e anëtares së Këshillit Prokurorial të Kosovës, Elza Kastrati-Bajrami, nga pozita e zëvendëskryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
KPK-ja themeloi Panelin Hetimor për shqyrtimin e një rasti disiplinor ndaj një prokurori të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Në përbërje të këtij paneli, të përzgjedhur përmes shortit, u caktuan: kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu – kryesues; prokurori në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Fatos Ajvazi – anëtar dhe prokurori në Prokurorinë Themelore në Gjilan, Arben Ismajli – anëtar.
Ndërkaq, si anëtarë rezervë u caktuan: prokurorja në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, Ardita Hyseni dhe prokurorja në Prokurorinë Themelore në Pejë, Sanije Seferi.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Arian Gashi, njoftoi anëtarët e KPK-së për dorëheqjen e tij të parevokueshme nga dy funksionet që ka ushtruar deri më tani, përkatësisht nga pozita e kryesuesit të Grupi punues për monitorimin e zbatimit të Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit të sistemit prokurorial për periudhën 2025-2027, si dhe nga pozita e kryesuesit të Komisionit Mbikëqyrës për Monitorimin e Rasteve të Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike, pozita këto vakante, të cilat do të plotësohen në takimet e radhës së KPK-së.



