Joe Biden: 100 dollarë kush vaksinohet

29 korrik 23:40

Miliona punëtorë federalë në SHBA do t’iu kërkohet të verifikojnë se janë vaksinuar kundër coronavirusit ose përndryshe përballen me vendosjen e detyrueshme të maskës, testimin javor, distancimin dhe rregulla të tjera të reja, njoftoi të enjten administrata e presidentit amerikan, Joe Biden.

Udhëzimet e reja të rrepta kanë për qëllim rritjen e normave të ngadalta të vaksinimit në mesin e 4 milionë amerikanëve që tërheqin pagesat federale dhe për të vendosur një shembull për punëdhënësit privatë në të gjithë vendin, raporton theguardian.

“Është një pandemi e re e të pavaksinuarve”, tha presidenti Joe Biden në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë. Pastaj e përsëriti me emocion se “Njerëzit po vdesin edhe pse nuk kanë arsye të vdesin”, transmeton Telegrafi.

Administrata po inkurajon bizneset të ndjekin shembullin e saj në nxitjen e vaksinimeve duke vendosur barrë për të pavaksinuarit.

Biden u ka bërë thirrje qeverive shtetërore dhe vendore “që të përdorin fondet e siguruara nga paketa e ndihmës kundër coronavirusit për të stimuluar vaksinimet duke ofruar 100 dollarë për individët që marrin vaksinën”. Ai ka njoftuar se bizneset e vogla dhe të mesme do të marrin rimbursime nëse u ofrojnë punonjësve pushim për të vaksinuar anëtarët e familjes.

Theksojmë se kryetari i qytetit të New Yorkut, Bill de Blasio, ka ndjekur tashmë këshillat e departamentit të thesarit, duke njoftuar dje se kushdo që shkon në një vend vaksinimi të drejtuar nga qyteti për dozën e parë të vaksinës do të marrë 100 dollarë duke filluar nga e premtja.

Ndryshe, deri më tani rreth 57.7 për qind (rreth 190 milionë) banorë e ka marrë së paku një dozë të vaksinës ndërsa rreth 50 për qind (164 milionë) janë vaksinuar plotësisht.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Doli nga shtypi monografia “60 vjet futboll në Komunën Skenderajt”…