Joe Biden i premton Zelenskyt se do të nënshkruajë projektligjin e ndihmës ushtarake sapo Senati të miratojë
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe ai amerikan Joe Biden kanë zhvilluar sot një bisedë telefonike, në të cilën Biden tha se planifikon të nënshkruajë projektligjin e ndihmës “sapo të miratohet nga Senati”, njoftoi Zelensky në mediat sociale.
Biseda telefonike vjen pas votimit të 20 prillit në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, kur u miratua një paketë kyçe e ndihmës së huaj për aleatët e SHBA-së, duke siguruar mbi 60 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën.
Zelensky falënderoi presidentin amerikan për “mbështetjen e tij të palëkundur për Ukrainën dhe udhëheqjen e vërtetë globale”.
Presidenti ukrainas tha se Biden e siguroi atë “se paketa do të miratohet shpejt dhe se do të jetë e fuqishme, duke forcuar mbrojtjen ajrore, me artileri me rreze të gjatë veprimi”.
Senatori amerikan Mark Warner tha më 21 prill se dërgesat që përfshijnë sisteme raketore me rreze të gjatë veprimi mund të jenë gati për t’u dorëzuar brenda disa ditësh.
“SHBA mund të fillojë transferimin e sistemeve raketore taktike të ushtrisë me rreze të gjatë (ATACMS) në Ukrainë deri në fund të javës, në pritje të miratimit nga Shtëpia e Bardhë”, tha Warner.
“Vendimi tjetër i Dhomës së Përfaqësuesve për të lejuar konfiskimin e aseteve të ngrira ruse, dërgon gjithashtu një sinjal të fortë për të gjithë partnerët tanë”, shtoi Zelensky.