Joni Keta në krye të BKH-së, ‘FBI-s shqiptare’

09 dhjetor 2025 | 18:13

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zgjedhur sot Joni Ketën si drejtuesin e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), pas propozimit të bërë nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Keta u votua me 11 vota pro nga anëtarët e KLP-së, duke siguruar mandatin pesëvjeçar në krye të strukturës së njohur si “FBI-ja shqiptare”.

Para emërimit, Keta mbante funksionin e zëvendësdrejtorit të BKH-së. Ai u përzgjodh në fund të një procesi rekrutimi që zgjati disa muaj dhe ku garuan 7 kandidatë, mes të cilëve zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit dhe prokurorë me eksperiencë në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndërrimi i drejtimit vjen pas përfundimit të mandatit të parë të kësaj strukture, i cili u mbajt nga Aida Hajnaj. Procesi i përzgjedhjes u monitorua nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së dhe të Bashkimit Europian, të pranishëm edhe gjatë votimit të sotëm.

Gjatë garës, Joni Keta u përball me kandidatët Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj dhe Gledis Nano.

Me zgjedhjen e tij, struktura e BKH-së nis fazën e dytë të funksionimit, me synimin për të rritur kapacitetet e hetimit dhe mbështetjes ndaj SPAK në çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë…