Joseph: Asnjë qeveri e Kosovës nuk mund ta përballojë të armiqësohet me SHBA-në
Eksperti i politikës së jashtme, Edward Joseph, i ka cilësuar si të gabuara pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik nga ana e SHBA-së dhe ato që i ka cilësuar provokime nga ana e Kosovës.
Derisa ka komentuar marrëdhëniet mes dy shteteve, Joseph ka thënë se asnjë qeveri e Kosovës nuk mund të përballojë të armiqësohet me SHBA-në. Ai ka rikonfirmuar atë që tha në Komitetin për Punë të Jashtme për kryeministrin Kurti.
“Asnjë qeveri e Kosovës nuk mund të përballojë të armiqësohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë të enjten Edward Joseph, ligjërues në universitetin “Johns Hopkins” në SHBA.
Joseph, i cili ka qenë pjesë e diskutimit të ditës së martë në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, ka rikonfirmuar atë që tha se kryeministri Kurti shihet si pengues nga burokratët e DASH-it.
Ai në KTV tha se prova e fundit ishte pezullimi i Dialogut të planifikuar Strategjik, për të shtuar se e ka cilësuar si të gabuar pezullimin e tij nga ana e SHBA-së. Në këtë intervistë, Joseph ka folur edhe për çështje të tjera.



