Joseph J. DioGuardi, ora e historisë që nuk u mësua!

30 janar 2022 | 22:53

Shkruan: Xhevat Latifi

Ka njerëz që, si një urë, ekzistojnë në mënyrë që të tjerët ta kalojnë atë. Dhe ata vrapojnë, vrapojnë; askush nuk do të shikojë prapa, askush nuk do t’i shikojë këmbët e tyre. Dhe ura i shërben kësaj, dhe gjeneratës tjetër, dhe gjeneratës së tretë. (V.V. Rozanov)

1.

Joseph J. DioGuardi (Xhozef Diogardi) u lind më 20 shtator të vitit 1940, është politikan amerikan me origjinë arbëreshe nga Italia (Katundi Kampanja).  Sipas tij, ai rrjedh nga një familje e ushtarëve të Skënderbeut të cilët kishin ndihmuar Mbretërinë e Napolit më 1461. Në nëntor 1984, ai u zgjodh në Kongresin Amerikan. U ri-zgjodh në vitin 1986, duke qenë kështu anëtar i Kongresit në periudhën 1985-1989.

Rrënjët arbëreshe ai do ti ri zgjojë nga shqiptarët e Amerikës të cilët kurrë nuk kishin pushuar së ndërtuari ëndrrën e tyre për lirinë e atdheut. Arkivi i Federatës Pan-shqiptare Vatra, e krijuar në vitin 1912, dëshmon dimensionet e kësaj dhembje dhe sakrificën e pafund të atdhedashurisë.

“Dua qumështin, do hajë bukë”, fjalët që Joseph J. DioGuardi i kishte në mbamëndje nga gjyshja, do të bënin atë të nisë rrugën e gjatë të njohjes me rrënjët. I shpallur që më 1979 Kalorës i Urdhrit të Maltës, Joe, tashmë po bëhej Kalorësi i Arbërit, si në legjendën Konstantinit, i kthyer për besën e dhënë, çështja shqiptare në Kongresin Amerikan do të ketë zëdhënësin që në damarë mbante të zgjuar Orën Arbëreshe, për të Bukurën More.

2.

Në mesin e viteve të tetëdhjeta të shekullit XX, shqiptarët andej dhe kënëdej Drinit,  po thuaj ishin të përhumbur në gjumin e internacionales, ndërkohe që në Fransuska 7 në Beogradit, elaboratet serbe po draftoheshin në plane ekspanzioniste në fuzionimin e Jugosllavisë në Republikën e Serbisë.

Janë këto vite kur në Kongresin Amerikan po futej edhe Joe DioGuardi. Pas njohjes me shqiptarët patriotë, shkallëve të Kapitoll Hillit, çështja shqiptare që kishte zënë në thua që në kohën e Katerinës së Madhe të Rusisë cariste, po merrte kthesë të re.

Pothuaj për dy qind vjet epërsia e diplomacisë serbe në dakordancë të plotë me diplomacinë ruse,  me DioGuardin në Kongres e Robert Dole në Senat, në rezolutën e parë kongresionale për të dënuar represionin serb mbi shqiptarët e Kosovës – H.Cone Res 358, që  mbanë datën 17 qershor 1987, fillon kthesa e madhe e Kosovës drejt perëndimit.

Se kjo Rezolutë, se kjo datë, ka vulën e një kthesë të madhe në histori, dhembshëm do të pranonte edhe vetë Sllobodan Millosheviq, i gjykuar për krime lufte në Gjykatën e Hagës. Kjo rezolutë  do të ishte vetëm maja e ajsbergut që ecte Oqeanit Atlantik, për të kulmuar në pranverën e 1999-tës.

3.

E kam parë nga afër ecjen e Joseph J. DioGuardit, në mermerin e bardhë në Capitol Hill. I veshur elegant me kravatë ngjyrë të kuqe Onufri. Këpucët e zeza të lustruara bukur, taket që lënin prapa një ritëm të Hora e Arbëreshëvet, silueta e De Radës, trokiste në dyer të gështenja ligjvënësve amerikan.

Diplomati i rryer,  republikani i palëkundur, me elokuencë do mbajë për 35 vjet, balancën mes republikanëve dhe demokratëve, mes lobit izraelit dhe lobit italian, do të jetë i dashur edhe nga ligjvënësit me origjinë afroamerikane. Nuk do të ndalet kurrë, shpesh herë duke i rënë tavolinës me grusht, një  temperament me takt për tu mos u nënshtruar.

Marrëdhëniet shqiptaro-serbe, janë para së gjithash balancë e arinjve siberian, që duan sërish Alaskën, Ukrainën, dhe në Ballkan mësohen si leksione mbi hartat e lëkurës. Të gjithë e dinë sa kushton lëkura, vetëm, në acarin e ftoftë dhe në zjarrin që përcëllon!

Joseph J. DioGuardi, ikona e diplomacisë nga e cila shqiptarët kanë çka të mësojnë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vetëm gjatë ditës së sotme në Kosovë janë konfirmuar 2…