Josko Gvardiol, mbrojtësi që mund ta kishte zgjedhur basketbollin në vend të futbollit

24 tetor 2025 | 12:14

Josko Gvardiol, i cili sot është një nga mbrojtësit më të shtrenjtë në historinë e futbollit, ka qenë dikur shumë afër që ta braktiste sportin që e ka bërë të famshëm për t’iu përkushtuar basketbollit.

Transferimi i tij prej 77 milionë funtesh nga RB Leipzig te Manchester City në gusht të vitit 2023 e renditi kroatin si mbrojtësin e dytë më të shtrenjtë të të gjitha kohërave, pas Harry Maguire. Por pak vite më parë, Gvardiol kishte mendime krejt të tjera.

“Mendoja ta lë futbollin, sepse më pëlqente shumë edhe basketbolli,” rrëfeu 23-vjeçari për BBC Sport.

Në moshën 16-vjeçare, kur luante për ekipin e të rinjve të Dinamo Zagrebit, ai po kalonte një periudhë të vështirë. Nuk po merrte minuta në fushë dhe po humbte motivimin.

“Kur shkoja në stërvitje nuk ndihesha i lumtur. Shokët e mi po luanin basketboll dhe unë po mendoja të gjeja diçka tjetër që do më bënte të ndihesha mirë.”

Megjithatë, Gvardiol vendosi të mos dorëzohej. Me durim dhe punë, ai arriti të depërtonte në ekipin e parë të Dinamos, ku fitoi dy tituj radhazi kampion, si dhe një dopietë ligë–kupë, përpara se të transferohej në Bundesligë për 16 milionë funte, një shumë rekord për një adoleshent kroat.

Në Gjermani shkëlqeu me RB Leipzig, duke regjistruar 87 paraqitje përpara se të firmoste me Manchester Cityn, ku është kthyer në një element kyç në sistemin e Pep Guardiolës.“Nëse do të më pyesnit pesë vite më parë nëse e shihja veten te Manchester City, do të thosha ‘asnjë shans’. Ishte e pamundur,” tha ai me sinqeritet.

Sezonin e kaluar, Gvardiol ishte ndër lojtarët më aktivë në botë, duke luajtur mbi 6,000 minuta për klubin dhe kombëtaren kroate – një numër që tregon përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm.

Pep Guardiola e vlerëson lart lojtarin e tij: “Ai është i jashtëzakonshëm fizikisht, i ri, dëgjon shumë dhe gjithmonë kërkon të përmirësohet. Një lojtar i tillë është ëndërr për çdo trajner”.

Sot, Gvardiol është rikthyer në rolin e tij natyral si mbrojtës i majtë, duke ndihmuar Cityn të stabilizojë mbrojtjen pas një sezoni pa trofe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një grup ish-deputetësh të Parlamentit Federal të Austrisë, politikanë dhe…