JU FTOJ!

20 nëntor 2025 | 18:52

Të dashur qytetarë të Republikës, në Kosovë e në Mërgatë pa dallim, sot, me shpalljen e datës së zgjedhjeve, nisi një faqe e re për vendin tonë. Një faqe që nuk shkruhet me mllef, as me frikë, por me një besim të thellë se Kosova mund të jetë më shumë sesa ajo që ka qenë këto vite; sidomos këtë vit.

Sot, për herë të parë pas një kohe të gjatë, pritja ka një fund. Shpresa ka një adresë. Ndryshimi ka një mundësi të vërtetë. Ky ndryshim ështě në dorën tuaj në këtë fundvit të një viti shumë të rëndë; për një fillim të ri.

Kosova që duam nuk është një ëndërr e largët. Ajo është përpara nesh. Po na pret.

Vitet e humbura, ngecjet, lodhjet, zhgënjimet, sot janë veçse një thirrje drejt një zgjimi të madh qytetar. Një rikujtim se ky vend është i aftë të çojë përpara më shumë sesa krizë e kaos; është i aftë të ndërtojë shtet, të hapë horizonte, të rikthejë dinjitetin që i takon.

Dhe zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk janë thjesht për të vendosur kush udhëheq me një Qeveri. Këto zgjedhje janë për të vendosur se kush jemi ne dhe kush duam të jemi si vend; si popull, si gjeneratë.

A jemi të gatshëm të dorëzohemi para lodhjes e vet lojës; apo të ngrihemi, edhe një herë, për ta shkruar vetë të ardhmen tonë.

LDK-ja hyn në këtë rrugëtim jo vetëm me programin më serioz, jo vetëm me ekipin më të përgatitur, por me një besim të palëkundur tek qytetari i Kosovës. Tek fuqia e mirësisë, tek përgjegjësia, tek aftësia për të ndërtuar diçka më të madhe se vetvetja.

Prandaj ky rrugëtim nuk është vetëm i yni. Nuk është as i një partie. Ky rrugëtim është i gjithë Kosovës; qytetarëve të saj brenda e në mërgatë.

Prandaj sot ju bëj thirrje për bashkim qytetar në misionin tonë. Të sinqertë, të ndershëm, të guximshëm.

Të gjithë ata që besojnë se vendi mund të ecë përpara; të gjithë ata që besojnë se qeverisja duhet të ndërtojë e jo të ndajë; të gjithë ata që besojnë se rruga euroatlantike nuk është slogan, por drejtim i jetës sonë politike e kombëtare; të gjithë ata që duan një Kosovë më normale, më dinjitoze, më të hapur ndaj botës – ky është momenti ynë!

Një moment kur e vërteta më e madhe e këtij vendi na bashkon: se Kosova është përgjegjësi, dashuri e amanet.

Dhe kjo është ftesa ime sot. Le të ecim bashkë. Le të ringrejmë besimin e këtij vendi. Le ta hapim kapitullin e ri të Republikës – me votë, me demokraci. me kurajo, me besim të palëkundur në njëri-tjetrin.

Më 28 dhjetor nuk nisë thjesht një garë. Nisë një epokë e re për Kosovën. Dhe këtë herë, epoka shkruhet prej nesh; prej të gjithëve neve.

Prandaj, le ta bëjmë!
Le t’i sjellim dritë Republikës.
Bashkë.

Une jam Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike.
Ju ftoj të më bashkoheni në këtë mision fisnik!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli Prokurorial i Kosovës me vetëm 5 anëtarë shkarkoi Besim…