Juristi Betim Popaj, kandidat i AAK-së për asamblenë komunale të Rahovecit

07 gusht 2025 | 11:29

Juristi Betim Popaj është kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për Asamblenë Komunale të Rahovecit. Kryetari aktual i kësaj komune dhe njëherit predenteti edhe për një mandat tjetër, Smajl Latifi nëpërmjet një postimi në “Facebook”, ka thënë se Betim Popaj është një aktivist i përkushtuar i AAK-së, i cili rrugëtimin politik e ka nisur në Rininë e Aleancës.

“Betim Popaj, nga fshati Fortesë, është kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për Asamblenë Komunale të Rahovecit. Një aktivist i përkushtuar i AAK-së, Betimi e ka nisur rrugëtimin politik në Rininë e Aleancës, ku për vite me radhë ka kontribuuar me energji e përgjegjësi. Për disa mandate ka qenë kryetar i nëndegës së Aleancës në Fortesë, pozitë të cilën e mban edhe sot. Me profesion jurist dhe me përvojë në menaxhim, ai aktualisht udhëheq pikën e VALA-s në Fushë Kosovë”, ka shkruar Latifi.

“Betimi vjen nga një familje që e ka përjetuar thellë çmimin e luftës për liri, një familje me plagë të hapura dhe sakrifica të mëdha nga koha e luftës, që sot janë pjesë e ndërgjegjes së tij politike dhe shoqërore. Angazhimi i tij në politikë nuk është për interes personal, por për të përfaqësuar me dinjitet interesat e Fortesës dhe të të gjithë qytetarëve të Rahovecit”, ka shtuar Latifi, raporton “Epoka e re”.

Në anën tjetër, Popaj ka kërkuar përkrahjen nga qytetarët e Rahavecit e në veçanti të fshatit Fortesë në mënyrë që të jetë zë i fuqishëm në Kuvendin Komunal.

“Të dashur miq, Me nder dhe përgjegjësi kam vendosur të kandidoj për Asamblenë Komunale të Rahovecit në listën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nga fshati Fortesë. Jam rritur me frymën e Aleancës, ku për vite me radhë kam kontribuar si aktivist dhe kryetar i nëndegës në Fortesë. Sot, kur Rahoveci po ecën përpara me projektet e shumta dhe të prekshme të kryetarit Smajl Latifi, dua të jap kontributin tim për të vazhduar këtë rrugë zhvillimi dhe përfaqësimi dinjitoz. Kërkoj përkrahjen tuaj për t’i çuar zërin dhe interesat tona në Kuvendin Komunal”, ka shkruar Popaj.

/Veton ZYMBERI/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka publikuar raportin ditor me të dhëna…