
Juve në bisedime me Osimhenin
Juventusi ka rinisur bisedimet me Victor Osimhen, pasi e sheh sulmuesin nigerian si një përforcim të madh për sulmin. Juventusi po përgatit lëvizjet e tyre për afatin kalimtar të verës 2025, veçanërisht pasi Igor Tudor kërkoi të paktën tre nënshkrime të reja për sezonin 2025/26.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Osimhen, në pronësi të Napolit, mbetet objektivi kryesor i “Zonjës së Vjetër” në sulm, kështu që përfaqësuesit e klubit rifilluan bisedimet me agjentët e sulmuesit ditët e fundit.
Osimhen ka një klauzolë prej 75 milionë eurosh të vlefshme për klubet jashtë Serie A, që do të thotë se “Bianconerët” duhet të negociojnë një tarifë transferimi me Napolin.
Football Italia raportoi ekskluzivisht javën e kaluar se Osimhen kishte refuzuar një ofertë prej 30 milionë eurosh në vit nga Al-Hilal, duke synuar të qëndronte në Evropë.
Raportet e mëparshme pretendonin se Osimhen kishte refuzuar tashmë një ofertë nga Juventusi, por sipas “Gazzetta dello Sport”, interesi i “Bianconerëve” është ende i sinqertë.
Sipas gazetës italiane, Viktor Gyokeres (Sporting CP) dhe Santiago Castro (Bologna) janë renditur pas Osimhen në dëshirat e Juventusit.