Juventusi në garë për Xhakën

08 korrik 2025 | 11:32

Juventus është në kërkim të përforcimeve për repartin e mesfushës, me objektivin për t’i dhënë trajnerit Igor Tudor një lojtar që kombinon cilësitë e një regjisori me ato të një shkatërruesi të aksioneve kundërshtare.

Sipas raportimeve të “Gazzetta dello Sport”, drejtuesit bardhezi kanë bërë sondazhe për disa emra të rëndësishëm, përfshirë Sandro Tonali, Wilfred Ndidi dhe Yves Bissouma. Mes tyre është shtuar edhe profili i Granit Xhakës, mesfushorit të përfaqësueses së Zvicrës dhe aktualisht pjesë e Bayer Leverkusen. Xhaka, më herët ka qenë në radarët e Milanit, duket se mund të largohet këtë verë nga klubi gjerman, që tashmë drejtohet nga trajneri i ri Erik ten Hag pas largimit të Xabi Alonsos.

Çmimi i kërkuar për kartonin e tij është relativisht i arritshëm, mes 12 dhe 15 milionë euro, shumë më pak se 70 milionët që do të duheshin për të rikthyer Tonalin në Serie A.

Pavarësisht se është 32-vjeçar, Xhaka mbetet një lojtar me përvojë të madhe ndërkombëtare, duke luajtur në nivele të larta me Basel, Arsenal dhe Leverkusen, si dhe me Zvicrën në Kampionate Botërore dhe Evropiane. Ai vetë është i prirur të provojë një eksperiencë të re, pas aventurave në Premier Ligë dhe Bundesliga.

Ndërkohë, shumë do të varet edhe nga e ardhmja e Douglas Luiz. Mesfushori brazilian ka zhgënjyer në sezonin e tij të parë me bardhezinjtë, por drejtuesit e klubit nuk janë të gatshëm ta shesin për një çmim të ulët. Pritet që Juventusi të shtojë të paktën dy emra të rinj në mesin e fushës për sezonin e ri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministri në detyrë i…