
OKB-ja paralajmëron luftë mes Kosovës dhe Serbisë: Kurti po pengon dialogun mes palëve
Raportuesi i Kombeve të Bashkuara, Fabian Salvioli, ka paralajmëruar rrezikun e nisjes së luftës mes Kosovës dhe Serbisë. Pas vizitës në të dyja shtetet, raportuesi special Fabian Salvioli vlerësoi se papërgjegjshmëria publike e liderëve sidomos atyre kosovarë për të vijuar dialogun mund të çojë në një përsëritje të konfliktit te armatosur.
Në raport ai vë në dukje përpjekjet e bëra pas konfliktit në Serbi dhe Kosovë, me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, për kërkimin e personave të zhdukur. Megjithatë, ai thekson mungesën e bashkëpunimit në vitet e fundit, sfidat e proceseve të llogaridhënies dhe dëmshpërblimit, si dhe papërshtatshmërinë e masave për të promovuar kujtesën e dhunës së kaluar, për të frenuar ndjenjat përçarëse dhe për të nxitur pajtimin. Raporti përfundon me rekomandime drejtuar autoriteteve në Serbi dhe Kosovë, si dhe komunitetit ndërkombëtar.
Në lidhje me Dhomat e Specializuara në Hagë, ku gjykohen ish-udhëheqësit e UÇK-së, raportuesi special vuri në dukje se ngurrimi i dëshmitarëve për të dëshmuar për shkak të frikës nga hakmarrja në thelb po pengon përparimin në dhënien e drejtësisë për krimet e luftës.
Raporti i OKB-së dëshmon se autoritetet në Kosovë nuk kanë dhënë dokumentacionin përkatës për personat e zhdukur gjatë luftës.
Ky raport do të shqyrtohet në seancat e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, të cilat do të mbahen në selinë e OKB-së nga data 11 Shtator deri më 6 Tetor të këtij viti.