
“Ka ikur nga shinat”, Trump sulmon Elon Musk për partinë e re
Presidenti Trump ka sulmuar Elon Musk duke thënë se “ka ikur nga shinat”, pasi njeriu më i pasur në botë deklaroi se po krijon një parti të re politike.
“Trishtohem teksa shoh Elon Musk që ka ikur plotësisht nga shinat, duke u kthyer në një katastrofë përgjatë pesë javëve të fundit”, tha Trump në Truth Social ditën e diel.
“Ai madje do të krijojë edhe një Parti të Tretë Politike, pavarësisht se nuk kanë pasur kurrë sukses në Shtetet e Bashkuara.”
Ai shtoi se miratimi nga republikanët i projektligjit “Big beautiful bill” është një fitore për vendin, pavarësisht se kjo do të ndikojë negativisht tek Tesla dhe industria e makinave elektrike.
“Fatkeqësisht për Elonin, ky ligj e eliminon subvencionimin për makinat elektrike, diçka ndaj së cilës kam qenë kundër që nga fillimi,” tha Trump. “Bëra fushatë për këtë edhe kur Elon më dha mbështetjen e tij. Më kishte thënë se nuk kishte problem”, deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Përpjekja e Musk për të krijuar një parti të re, Partinë Amerikane, është përçarja më e fundit e marrëdhënies së tij me Trump.
Njeriu më i pasur i botës shpenzoi miliarda dollarë në fushatën presidenciale të presidentit amerikan dhe më pas Trump e shpërbleu me një post udhëheqës në kontrollimin e shpenzimeve për stafin dhe kontratat qeveritare.
Raporti i tyre u thërrmua me ‘ceremoni’ muajin e kaluar, pasi Trump kaloi ligjin e ri të shpenzimeve në Kongres. Musk iu kundërvu ligjit që mendohet se do t’i shtojë triliona dollarë borxhit federal.
Ai ka thënë se do të mbështesë kundërshtarët kryesorë kundrejt çdo republikani që votoi ligjin, i cili u miratua thuajse unanimisht prej republikanëve, por ka dhënë fare pak detaje për partinë e re.
“Mbështetja e një kandidati për president nuk është jashtë mundësive, por fokusi për 12 muajt e ardhshëm janë Shtëpia dhe Senati”, shkroi Musk në platformën X ditën e diel.