Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ka prezantuar sot kabinetin e ri drejtues të komunës, duke theksuar se ekipi i formuar do të jetë përgjegjës për menaxhimin e punëve të përditshme dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Ai tha se puna institucionale do të udhëhiqet me seriozitet, qetësi dhe ndershmëri, ndërsa besimi i qytetarëve mbetet obligim për ta përmbushur me profesionalizëm.
Në përbërjen e kabinetit të ri, Berat Gashi është emëruar nënkryetar i komunës, ndërsa Sami Ahmeti do të ushtrojë detyrën e kryesuesit të Kuvendit Komunal. Shef i kabinetit të kryetarit do të jetë Bashkim Gashi.
Pozitat udhëheqëse në drejtoritë komunale do të mbahen nga: Sevdije Berisha, e cila do të udhëheqë Drejtorinë e Arsimit; Ariana Grajqevci, që do të drejtojë Administratën; dhe Besnik Krasniqi, që do të menaxhojë Drejtorinë e Ekonomisë dhe Financave. Albertina Dedinca do të jetë drejtoreshë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ndërsa Ilire Kelmendi Shema do të udhëheqë Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave do të menaxhohet nga Valon Svirca, kurse për Infrastrukturën Lokale është caktuar Naim Shalaku. Rinor Kurteshi do të drejtojë Mjedisin, ndërsa Arif Pllana është emëruar drejtor i Inspekcionit.
Kryetari Thaçi ka deklaruar se ekipi i ri do të angazhohet për të garantuar funksionim efikas të komunës, përmirësim të shërbimeve dhe trajtim të dinjitetshëm të qytetarëve. Ai ka falënderuar qytetarët për besimin dhe ka theksuar se puna me përgjegjësi do të vazhdojë.



