Kadaj-Bujupi i reagon Hotit: Është njeriu i fundit në Kosovë që mund të flasë për moral politik, nënshtrohej para Vuçiqit
Këshilltarja e presidentes Vjosa Osmani, Donika Kadaj – Bujupi i ka reaguar ish-kryeministrit Avdullah Hoti pasi ky i fundit e konsideroi për keqardhje deklaratën e të parës së shtetit në lidhje me çështjet që presin për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës.
Kadaj – Bujupi ka thënë se Hoti është njeriu i fundit që mund të flasë për moral politik, e duke e akuzuar edhe për atë se kur ishte kryeministër nënshtrohej para Vuçiqit.
“Avdullah Hoti është njeriu i fundit në Kosovë që mund të flasë për moral politik. I bërë kryeministër nëpërmjet shkeljes e keqpërdorimit të vullnetit qytetar, pa vota të tij, në mënyrë krejtësisht kundërkushtetuese, e duke u nënshtruar para Vuçiqit për ata pak muaj sa ishte kryeministër; modeli i tij i politikbërjes është shembulli më i keq që qytetarët shumë moti e kanë kuptuar se nuk duhet ta ndjekin. Edhe sot paska tentuar të mashtrojë sërish”, ka shkruar ajo në “Facebook”.
Ajo e ka sqaruar edhe pjesën se si mund të bëhet zgjidhja për buxhetin e RTK-së dhe Planin e Rritjes, për të cilën foli në një deklarim për media e para e vendit.
“Sa i përket deklaratës së Presidentes sot, ajo ka qenë e qartë se votimi i zgjatjeve buxhetore, Planit të Rritjes, buxhetit të RTK-së, qindra miliona të Bankës Botërore, etj., janë çështje në vullnet të partive politike të përfaqësuara në Kuvend. Pra, në vullnet të të gjitha partive, e jo vetëm njërës apo tjetrës. Presidentja ka propozuar që, meqë partitë opozitare nuk janë dakord që këto vendime e ligje të procedohen në Kuvend nga Qeveria në detyrë, kjo të bëhet nga presidentja (brenda kompetencave kushtetuese) dhe nga vetë deputetët (përsëri brenda suazave kushtetuese). Kjo gjë jo vetëm që lejohet, por është e parashikuar në mënyrë taksative në Kushtetutë dhe në ligjet në fuqi. Pra, mundësia për të kaluar edhe Planin e Rritjes, edhe zgjatjet buxhetore, edhe marrëveshjet me Bankën Botërore, edhe buxhetin e RTK-së dhe shumë vendime të tjera ekziston. Por, ekzistojnë edhe njerëz si Hoti që i gënjejnë qytetarët pa pikë turpi, sepse në asnjë moment nuk mendojnë se moskalimi i këtyre vendimeve mund t’i humbë Kosovës mbi 1 miliard euro, dhe në mungesë të buxhetit mund t’i lë mijëra familje pa paga, pa ushqim, pa barna të nevojshme, e pa institucione funksionale”, ka shkruar Kadaj-Bujupi.
Por, gjitha këto sipas saj nuk janë në interes të Hotit meqenëse ai qëllim ka ta sulmojë presidenten.
“Hotit, natyrisht, kjo s’i intereson ashtu si nuk i ka interesuar kurrë. Prioritet e ka të sulmojë Presidenten. Njësoj si atëherë kur thoshte se ‘Vjosa Osmani do të marrë zero vota’ 😃”, ka shkruar Kadaj-Bujupi.
Hoti i reagon presidentes Osmani: Deklarimi i saj është për keqardhje
Mandatari i LV-së, Osmani kërkon respektim të afateve për seancën e jashtëzakonshme



