Kadrijaj: Kurti është fajtor që vendi po shkon në zgjedhje
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se qëllimisht i ka dështuar bisedimet me partitë politike për të mos arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit në mënyrë që ta dërgojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Në një bisedë për “RTV21”, deputetja Kadrijaj ka thënë se në rrethanat aktuale nuk ka hapësirë për bisedime midis partive politike, sepse janë shteruar afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri.
“Zoti Kurti ka pasur hapësirë të mjaftueshme të diskutojë me partitë e tjera politike për një emër konsensual për president, dhe jo një emër politik e partiak. Ndërsa ato takime që janë bërë në atë kohë kanë qenë vetëm formale, sa për të thënë se janë zhvilluar, por jo për t’u dakorduar. Nga përvoja e di se Kurti takohet për të mos u dakorduar, sepse gjithmonë insiston që duhet të gjendet dikush që ai dëshiron; kjo nuk është konsensus. Unë mendoj se vendi duhet të shkojë në zgjedhje, sepse besoj se është ezauruar periudha për zgjedhjen e presidentit, të cilën zoti Kurti nuk e ka respektuar, pasi në natën e fundit ka siguruar dy kandidatë”, ka thënë ajo.
Deputetja Kadrijaj i ka dhënë të drejtë dekretit të presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, por ka thënë se do ta respektojnë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese.
“Pa dashur të paragjykoj, vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet t’i japë të drejtë presidentes, sepse ajo me të drejtë e ka shpërndarë Kuvendin sipas rolit kushtetues, pasi ka kaluar afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit. Ne i kemi respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Kadrijaj.



