Kahni analizon formën e dobët të Neuerit

16 janar 2019 | 10:22

Manuel Neueri nuk ka bërë paraqitje të mira në fazën e parë të kampionatit. Kapiteni i Bayern Munchenit nuk ka qenë ai që jemi mësuar të shohim në vitet e fundit.

Arsyet për këtë duket se i di ish-portieri i “bavarezëve”, Oliver Kahn. Sezoni i ri nën drejtimin e trajnerit të ri, Niko Kovaq, ka sjellë shumë turbulenca në skuadrën e Bayernit. Një arsye kryesore për periudhën pjesërisht negative që kaluan kampionët e Gjermanisë duket se është Manuel Neueri. Shifrat flasin kundër kapitenit, i cili nuk kishte pësuar kurrë më shumë gola me Bayernin sa në këtë sezon.

Ish-portieri i Schalkes tani shihet me lupë nga shumë analistë sportivë duke e cilësuar atë si pikën më të dobët të skuadrës. Një faktor i rëndësishëm për këtë moment jo të mirë është edhe dëmtimi që Neueri pësoi në fillim të sezonit të kaluar. 32-vjeçari humbi sezonin me Bayernin, duke u rikthyer në kohë për Botërorin, ndonëse luajti vetëm një ndeshje miqësore me “pancerat”. Trajneri Joachim Low hoqi dorë nga Ter Stegeni, duke i besuar Neuerit çelësat e portës në Rusi. Kronologjia e ngjarjeve që rrodhën më pas janë të qarta për të gjithë: Gjermania u eliminua nga faza e grupeve në Botëror. Oliver Kahni, i cili ashtu si dhe Neueri ka fituar Ligën e Kampionëve me Bayernin në vitin 2001, ka folur për problemin psikologjik të Neuerit për shkak të dëmtimit që pësoi. “Manueli po vuan një problem mendor. Atë po e gërryejnë mendimet se një dëmtim tjetër do t’i ndodhë sërish. Kjo është normale pas një dëmtimi. Në kokë të vijnë shumë mendime. Nuk duhet të vritem sërish, përndryshe karriera ime do të përfundojë”, u shpreh Kahn. Por “Titani”, siç quhet ndryshe ish-portieri “bavarez”, mendon se Neueri ka ende mundësi për t’u rikthyer në formën e mëparshme.

“Ai duhet të mendojë sa më pak për atë çfarë ka ndodhur në të kaluarën. Në situatat kur duhet të vendosë nëse do të hidhet apo jo, duhet ta bëjë pa u menduar dy herë. Vetëm kështu mund ta mposhtësh frikën që ke brenda teje”.

Një frikë për të cilën Neueri nuk ka folur asnjëherë. I pyetur vazhdimisht për formën e tij, portieri i Bajernit ka mohuar të ketë probleme me shëndetin. “Që nga vera nuk ndiej asnjë shqetësim në krah. Jam stërvitur mirë dhe mendoj se jam në gjendje për të luajtur në nivele të larta”, u shpreh Neueri, i cili nuk shfaqi asnjë gjurmë të frikës apo pasigurisë. Por, problemet e tij janë të dukshme, mjafton ta kujtosh barazimin 3-3 në shtëpi ndaj Dyseldorfit në fazën e parë të Bundesligës dhe kupton që diçka nuk shkon. Faza e dytë fillon të premten, Bayerni do të udhëtojë për në Hoffenhaim, ku do ta nisë gjuetinë për titullin ndaj Borussias së Dortmundit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Ligës së Parë të Kosovës në futboll, Dukagjini,…