“Kalendari i shqyponëtorëve”, albanologët e parë dhe një parathënie e Faik Konicës
“Kujtimi i netëve pa gjumë kur shfletoja është trishtimi që jam larg atdheut. Kujtimi i atyre netëve ka për të qenë i ëmbël ashtu siç e prisnin atdhetarët publikimin e këtij libri për të dalë në dritën e botimit”
“Kristoforidhi ka përdorë fjalën shqypon për: flas shqip. Pra shqyponëtore u thomi gjuhëtarëve që dinë shqypen e përpiqen me qit në dritë kanunet e saja. Vit për vit kena me shpall jetën e fytyrën e disa shqyponëtorëve e ma fort në daçin me na ndihmue pak ligjëruesit e “kalendarit” tui na çue shka munen me dit e me pas në dorë përmbi ata burra, shqyptar a të huaj që u banë shkak me e shty përpara mësimin e gjuhës kombëtare, me Kristoforidhin”.
Gazeta “Përlindja” përshkruan edhe për të tjerë albanologë të kohës duke nisur me Emile Legrand, Gustav Meyer, Holger Pedersen etj
Kalendari i Maleve është një botim i vitit 1900 me autor Faik Konica. Periodiku i Konicës, të cilin ai e quan libër, publikohej në Bruksel në shtypshkronjën “Përlindja e Shqipnisë”. Në përmbajtje kishte materiale që lidheshin kryesisht me gjuhën shqipe, me historinë, atdhetarët e kohës dhe të tjerë që kontribonin për Shqipërinë, kryersisht gjuhën shqipe. Në atë kohë, ishin shumë të pakta botimet në gjuhën shqipe.
Parathënia e kësaj reviste niste me këto fjali të Konicës:
“Kalendari që kemi nderin t’u japim sot atdhetarëve, besojmë se do t’u pëlqejë më së tepërmi. Duke këto fletë, ju rrëfej se jam munduar të përfshij në këtë libër sa më shumë materiale të dobishme për atdhetarinë edhe për gjuhën edhe për dijen. Për më shumë se tre muaj kam shfletuar mijëra faqe të veprave të ndryshme për Shqipërinë për të përzgjedhur më të bukurat pjesë dhe për t’i publikuar tek Kalendari i Maleve. Kujtimi i netëve pa gjumë kur shfletoja është trishtimi që jam larg atdheut. Kujtimi i atyre netëve ka për të qenë i ëmbël ashtu siç e prisnin atdhetarët publikimin e këtij libri për të dalë në dritën e botimit…”
Një ndër rubrikat e saj ishte: “Kalendari i shqyponëtorëve”. “Shqyponëtorë” quheshin në atë kohë të huajt që shkruanin dhe studionin gjuhën shqipe, pra albanologët. Tema sjell një përmbledhje të artikujve të librit të Konicës për tre prej shqyponëtorëve/albanologëve: Emile Lagrand, Gustav Meyer, Holger Pedersen. Tri personalitete shumë të rëndësishme në botën akademike të kohës që iu kushtuan gjuhës, historisë dhe kulturës shqiptare vite të shumta pune studimore. Në këtë rubrikë, Konica shkruan gjërësisht për kontributin e Kostandin Kristoforillit në angazhimin e studiuesve të huaj për të shkruar për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe.
Emile Lagrand
Lindi në Francë në Fontenay-le-Mission, qytet i vogël i Normandisë, në vitin 1841. Pas studimeve ai udhëtoi disa vite në viset e Lemjes dhe në vitin 1887 u emërua mësues në shkollën kombëtare të gjuhëve të Lemjes në Paris, për të rrëfyer gjuhën greke.
Lagrand publikoi rreth 40 libra në greqisht dhe për historinë e Greqisë. Një ndër ta është edhe libri që i kushtohet Ali Pashë Tepelenës me titull në origjinal: Complainte d’Ali de Tepelen, pasha de Janina, poème historique épirote. Publikuar nga E. Legrand, Paris, 1886. Është një libër me vjersha vajtimtare përmbi luftën dhe vdekjen e Ali Pashës, i shkruar në gjuhën greke, nisur prej një shqiptari muhamedan qyshmoti dhe i mbledhur e i publikuar prej zotit Legrand. Një tjetër libër Généalogie d’Ali Pasha, që është edhe ky një libër me vjersha greqisht përmbi gjyshërit e Ali Pashës, u publikua prej zotit Lagrand. Përveç këtyre dy librave, Lagrand prej dhjetë vitesh po punon për një libër me titull Bibliographie e Albanisë, d.m.th. një libër ku përfshihen të gjithë librat që janë shkruar për shqiptarët e për gjuhën shqipe. Ky është një shërbim i madh që zoti Legrand po i bën dijes së kombit tonë dhe ne e presim me padurim kur të dalë në dritën e botimit kjo punë e madhe.
Gustav Meyer
U lind në Gross-Strelitz, Silezi e Prusisë, më 25 nëntor 1850. Në vitin 1871 ishte mësues i gjuhëve të vjetra në shkollën e Gothës. Më pas shkoi në Universitetin e Pragës dhe më vonë në Universitetin e Gracit.
Gustav Meyer është pjesëtar i Akademisë së Shkencave të Vjenës dhe i Shoqërisë Letrare në Helsingfors. Është ndër njohësit më të mirë të gjuhës shqipe. Fillimisht ai shkroi artikuj të ndryshëm për shqiptarët në mediat më të rëndësishme të botës. Ai ka publikuar:
– Gramatikë e shkurtër e gjuhës shqipe, Leipzig 1888
– Për mësime në gjuhën shqipe (Albanesische Studien), Vjenë 1883–1885
– Fjalori i përfunduar i fjalëve në gjuhën shqipe, Strasburg 1890
______________
Holger Pedersen
Lindi më 7 prill 1867 në Jutland, Danimarkë. Studioi në Universitetin e Gjuhësisë në Kopenhagen. Pas studimit të disa gjuhëve evropiane u përqendrua tek gjuha shqipe.
Botimi i parë në shqip i Pedersen u publikua në vitin 1894, “Përmi zanët grykore në gjuhën shqipe”. Në këtë libër ai vlerëson gjuhën shqipe si më të vjetrën dhe më të rëndësishmen në gjuhët indoevropiane. Në vitin 1895 publikoi veprën e tij të rëndësishme, një libër me përralla të mbledhura shqiptare. Libri u publikua nga Akademia Mbretërore e Letrave. Libri përfshin edhe disa këngë dhe fjalë të urta popullore shqiptare.














