Kallasi sot në Prishtinë, takohet me krerë të partive në Zyrën e BE-së

22 maj 2025 | 08:33

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, e cila ka nisur dje një vizitë në rajon, së pari në Beograd, sot pritet të arrijë në Prishtinë.

BE e ka bërë publike agjendën. Në të thuhet se kryediplomatja e BE-së do t’i takojë krerët e partive politike, pa përmendur ndonjë zyrtar të institucioneve.

“Në Kosovë, Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile. Ajo do të mbajë një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Evropës më 22 maj në orën 15:45, transmetuar drejtpërdrejt në EBS. Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të vizitojë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Ajo do të takohet edhe me komandantin e KFOR-it Enriko Barduani” thuhet në njoftimin e Brukselit.

Takimet e Kallasit me krerë të partive do të mbahen në Zyrën e BE-së në Prishtinë, të cilat janë të ftuara në nivel të liderëve të partive dhe dy zyrtarëve të tjerë.

Javën që shkoi presidentja Osmani e takoi Kallasin në Tiranë në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropan duke njoftuar se kur zyrtarja e BE-së do të vijë në Prishtinë nuk do ta takojë, pasi do të jetë për vizitë në Zvicër.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, do të jetë njëri nga liderët që do ta takojë Kallasin në orën 18:40, ndërsa nga LDK në takimin e ndarë me Kallasin pjesëmarrës do të jenë kryetari Lumir Abdixhiku, nënkryetari Lutfi Haziri dhe mënkryetarja Doarsa Kica-Xhelili.

Për dallim nga presidenti i Këshillit të BE-së i cili e takoi kryeministrin në largim, Albin Kurti, në zyrën e tij, në njoftimin e BE-së nuk përmendet ndonjë takim i veçantë me Kurtin. Me gjasë edhe Kurti nga Kallasi trajtohet nga BE si lider partie e jo si kryeministër në detyrë siç e quan ai veten e kryeministër në largim siç i referohet zyra e BE-së. Sidoqoftë, partitë ende s’kanë publikuar ndonjë agjendë zyrtare rreth takimeve të sotme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës, sot do të mbajë konferencë për…