Kam adhurim të thellë për enciklopeditë dhe për enciklopedistët francezë

12 dhjetor 2024 | 17:59

Profesori, studiuesi, poeti dhe prozatori Bajram Kosumi, të mërkurën ka qenë mysafir në edicionin V të Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, në qendrën “Libart”, me të cilin organizatorët dhe të pranishmit kanë zhvilluar një bashkëbisedim. Ai, i pyetur nga moderatori, studiuesi Flamur Maloku, se si ndihmon struktura enciklopedike e librit në zhvillimin e temave kryesore te “Enciklopedia imagjinare”, është përgjigjur: “Janë dy aspekte. Së pari ta them atë më personalen. Unë kam një adhurim të thellë për enciklopeditë. Edhe për enciklopedistët francezë. Një pjesë të madhe të njohurive të mia ua kam borxh enciklopedive. Unë vetë kam ëndërruar në vitet e burrërisë të themeloj një institut enciklopedist. Edhe sot i mbaj në tavolinën e punës disa enciklopedi. Por, interneti i zëvendëson më mirë. Së dyti, kjo ka të bëjë me një provë për një formë të re të letërsisë. Autorët duhet të zbulojnë gjithnjë forma të reja letrare, zhanre të reja, sepse format tradicionale e humbin fuqinë e ndikimit të cilën e kanë në fillim. Epi e drama janë duke e humbur këtë fuqi. Poezia lirike e ka humbur mjaft shumë. Romani ka hyrë në tatëpjetën e vet. Unë kam shpikur një përmbajtje sinkretike në një formë unike, nëse iu përmbahemi këtyre dy termave të formalistëve rusë. Sinkretizmi ka të bëjë me ligjërimin e të gjitha tipave që është te ‘Enciklopedia…’, ndërsa forma unike ka të bëjë me enciklopedinë.

Struktura enciklopedike e tekstit letrar – ndoshta kjo frazeologji paraqet më së miri këtë qasje timen – ma krijon edhe një përparësi, e cila ka të bëjë me kohën dhe narracionin: më liron prej detajeve të parëndësishme për simbolet që i krijoj përmes narracionit, e me këtë lexuesi dhe unë fitojmë kohën. Këto detaje janë shumë të rëndësishme për një romansier. Për shembull, Tolstoj përshkruan te Lufta dhe paqja disa paragrafë vinjetat në bishtin e lugës. Struktura enciklopedike e tekstit më liron prej këtyre detyrimeve: unë flas vetëm për kohën themelore, për kohën kritike, për elementet substanciale të jetës, pra vetëm për kthesat apo për ballafaqimin me një element të ri. Nëse e krahasojmë me relievin e tokës, unë e përshkoj tokën duke vënë këmbët vetëm në majat e maleve, si një div. Ky stil është edhe në librat e shenjtë. Edhe kur shkruaj biografinë e një personazhi mua më mjafton një paragraf. Shihni, te Libri për një çast unë paraqes një epokë prej rreth gjashtëqind vjetëve, në dy drejtime, kthim nga koha zero te një vit, për shembull te viti 1424, kur mund të ketë vdekur Mikulli Danculli në Shatërvanin e Prizrenit, dhe nga ai vit rikthimi në vitin zero, pra gjithsejtë rreth një mijë e dy treqind vjet. Në këtë libër flitet dhe paraqiten shumë personazhe dhe shumë bëma të tyre. Dhe, krejt kjo në 23 faqe të Enciklopedisë imagjinare”.

Disa pjesë nga bashkëbisedimi me të i gjeni në llogarinë e gazetës Gazeta “Epoka e re” në “Facebook”. Të tjerat video nga bashkëbisedimi me të do t’i publikojmë deri nesër në këtë kohë./Berat Armagedoni/Epoka e re/

Fotografinë: Zjarr Bujari

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njoftimet nga KEDS për punimet në rrjet 13.12.2024 Punime të…