
Kamberi i tregon ambasadorit të BE-së në Beograd për pengesat që shqiptarët i kanë atje
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, është takuar dje me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuele Giaufret.
Kamberi tha me Giaufretin folën për sfidat, pengesat dhe vështirësitë me të cilat përballen për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
“Theksova se Bashkimi Evropian dhe vlerat perëndimore mbeten opsioni i vetëm dhe aspirata strategjike e shqiptarëve të Luginës dhe se procesi i integrimit të Serbisë në BE duhet të kalojë përmes respektimit dhe avancimit të të drejtave të pakicave kombëtare”.
“Informova Ambasadorin për ngecjen e vazhdueshme në zbatimin e Planit 7- pikësh, si dhe për mbylljen e dyerve të institucioneve shtetërore për integrimin e shqiptarëve”, shkroi Kamberi.
Tutje, ai u shpreh se në takim vuri në dukje neglizhencën sistematike të shtetit serb ndaj përfshirjes së shqiptarëve në institucionet publike, veçanërisht në polici.
“Dhe ngrita shqetësimin për vazhdimin e praktikës së pasivizimit të adresave të shqiptarëve. Këto janë fenomene që cenojnë të drejtat elementare të qytetarëve tonë, prandaj asistenca ndërkombëtare për evitimin e këtyre problemeve dhe avancimin e pozitës së shqiptarëve është e domosdoshme”, shkroi ai.