Kamberi: Kushtetuta na lejon të bashkëpunojmë me Kosovën, Vuçiqi po tenton të na paraqesë si destabilizues

15 gusht 2023 | 15:21

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se bashkëpunimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës me Qeverinë e Kosovës, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është duke e paraqitur si tentativë për destabilizim dhe “krijim të Shqipërisë së Madhe”.

“Ka disa herë që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, bashkëpunimin tonë institucional me qeverinë e Republikës së Kosovës e paraqet si tentativë për destabilizim dhe ‘krijim të Shqipërisë së Madhe’”, ka shkruar  Kamberi në “Facebook”.

Si një ndër të drejtat fundamentale të pakicave, sipas tij, Kushtetuta e Serbisë e parasheh edhe “bashkëpunimin me shtetin amë”. Në këtë kontekst, ai ka pyetur se pse e pengon kjo Vuçiqin dhe deklarohet kundër normës fundamentale kushtetuese. “Pasur parasysh këtë, afërsinë gjeografike, lidhjet e përditshme e tradicionale, sidomos ato institucionale me Republikën e Kosovës, janë parakusht i avancimit të pozitës dhe mirëqenies së shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Pse për presidentin e Serbisë qenkan destabilizuese marrëdhëniet tona normale me Kosovën, ndërkohë që sipas tij, janë konstruktive aventurat e tij në çdo cep të Ballkanit Perëndimor ku jetojnë serbët?”, ka shkruar Kamberi.

Sipas tij, “është krejtësisht normale t’i takojë liderët serbë të Kosovës në Rashkë, sa herë që e sheh të arsyeshme”. “Është normale që me tona nacionaliste nëpër tubimet e tija përkrahëse në Beograd masës t’i drejtohen liderë radikalë serbë nga rajoni, përfshi këtu Knezevicin e Malit të Zi.  Është normale që ai bashkë me Dodikun e Srpskas të realizojë takime trepalëshe me Patriarkun serb për të ardhmen e ‘Botës serbe’.  Është normale të kërcënojë ekzistencën e Bosnjës si shtet unitar e të shfaqë ambicie destabilizuese në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut e në Kosovë. Madje, sipas tij, është normale që me fluturaket ushtarake serbe fshehurazi të disponojë Dodikun sa herë të ketë nevojë”, ka shkruar deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë.

Ai ka thënë se sipas logjikës së presidentit serb, “vetëm serbët duhet ta kenë këtë të drejtë. Të tjerëve kjo e drejtë, kur tentojnë ta materializojnë, jo vetëm që i mohohet, por tentohet në vazhdimësi të satanizohen”.

Sipas Kamberit, kjo logjikë e ka mbështetjen në mitin mesjetar teksa ka theksuar “se serbët janë popull hyjnor – qendra e Ballkanit – ndërsa të tjerët, në periferi, janë barbarë”. “E pakuptimtë dhe e papranueshme. Një logjikë të tillë nuk mund të na imponojë autokrati në krye të shtetit. E di, sipas tij, ne nuk do të duhej të ndërlidhnim fatin tonë me Kosovën. E as kërkesat tona për reciprocitet me të drejtat e serbëve në Kosovë nuk do të duhej të jenë agjendë e bisedimeve. Kjo e frikëson presidentin serb e për këtë ai po na sulmon vazhdimisht. Por, edhe ai duhet ta dijë që angazhimi jonë politik asnjëherë nuk ka pasur për qëllim destabilizimin”, ka shkruar Kamberi.

Më tutje, ai ka theksuar se gjithmonë ka këmbëngulur në avancimin e pozitës së shqiptarëve dhe realizimin e të drejtave fundamentale të tyre.

“Serbia ka qenë dhe po vazhdon të jetë ajo që po refuzon kërkesat tona legjitime për drejtësi, barazi, liri. Të drejtat janë universale. Ato nuk janë mëshirë e shtetit. Njeriu i fiton me lindje. Së paku kështu e thonë teoritë moderne për të drejtat e njeriut. Prandaj nuk mund të ketë drejtësi dhe paqe afatgjate në këtë rajon të brishtë duke tentuar të krijohen pakicat apo popujt hyjnorë. Evropa dhe Ballkani e kanë provuar këtë disa herë dhe përfundimi kanë qenë luftërat e përgjakshme. Në vend të kriminalizimit të kërkesave tona legjitime, shmangies së përgjegjësisë nga tri marrëveshjet e nënshkruara, është koha të reflektosh në realizimin e obligimeve të marra. Të nënshkruara janë. Të kursejmë nga ‘dhimbja e dorës së djathtë’”, ka shkruar Kamberi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në…