
Kampioni i dyfishtë i botës njofton tërheqjen nga sporti
Në një njoftim për mediat nga Baku (Azerbajxhan), presidenti i UFC, Dana White, konfirmoi se kampioni i peshave të rënda, Jon Jones, është tërhequr zyrtarisht nga artet marciale të përziera (MMA). “Jon Jones na telefonoi për vendimin që ka marrë dhe u tërhoq nga sporti”, ka thënë Dana White, që më tej ka shtuar: “Jon Jones është tërhequr zyrtarisht. Tashmë Tom Aspinall është kampioni i ri i peshave të rënda i UFC-së”.
Dana White konfirmoi lajmin e Jon Jones pas muajsh spekulimesh dhe drame në mediat sociale rreth mosaktivitetit dhe ngurrimit të luftëtarit për t’u ngjitur në kafaz dhe për t’u përballur me Aspinall në një ndeshje për unifikimin e titujve. Tom Aspinall mbante titullin e përkohshëm të këtij Divizioni.
Ai pati deklaruar më herët se do ta detyronte Jones të tërhiqej nga kafaz pa u ndeshur kurrë me të dhe ai bëri pikërisht këtë. Jon Jones, një nga ikonat e UIFC-së, e mbyll kështu karrierën me një rekord prej 28 fitoresh, 1 humbje dhe 1 duel pa rezultat. Ai nuk duelonte që prej nëntorit 2024, ndërkohë që ka mbajtur edhe titullin e peshës “light heavyweight” (pesha deri 93kg).