Kandidatët për kryeministër zotohen se do ta udhëheqin dialogun

17 shtator 2019 | 13:32

Kandidatët për kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit kanë bërë me dije se dialogun Kosovë – Serbi do ta udhëheqin ata në qeverinë e ardhshme. Ata kanë deklaruar se udhëheqjen e këtij procesi qeveria e ka obligim kushtetues.

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë se presidenti i Kosovës vetëm do ta dekretojë marrëveshjen e arritur me Serbinë në këtë proces.

“Sa i përket dialogut me Serbinë, do të udhëhiqet nga qeveria, por jo vetëm nga unë. Në fushën e negociatave kam përvojë më shumë se secili kandidat për kryeministër. Të tjerët e kanë shikuar nga televizori, ndërsa unë kam qenë e përfshirë drejtpërdrejti”, ka thënë ajo në debatin “Fol hapur” me temën “Shteti funksional sipas Vjosa Osmanit”.

Ajo e ka kritikuar kryeministrin në dorëheqje, Ramush Haradinaj, që në këtë mandat dialogun ia ka lënë në dorë presidenti Hashim Thaçi. “Të tjerët kanë bërë gjithçka duke e vendosur lëkurën e tyre personale para interesit shtetëror. Kurse disa të tjerë kanë ikur nga përgjegjësia e dialogut duke e lënë atë në duar të personave të papërgjegjshëm”, ka thënë Osmani, duke shtuar se nuk mund të hyhet në dialog duke thënë se unë nuk e bëj këtë apo atë, por duhet të ketë ide konkrete se si duhet të arrihet deri te normalizimi, transmeton “Epoka e re”.

Ajo ka thënë se ka qenë dhe është kundër fokusimit të tërë energjisë se institucioneve në procesin e dialogut. Sipas Osmanit, Serbia nuk i ka ndaluar institucionet e Kosovës të krijojnë vende të reja pune. “Presidenti ka një rol komplet tjetër. Pasi që ta ratifikojmë marrëveshjen në Kuvend, presidenti e ka një detyrë ceremoniale ta nënshkruajë marrëveshjen që e kemi arritur ne”, është shprehur Osmani.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, të hënën në takim me ambasadorin italian Piero Cristoforo Sardi ka treguar qëndrimin e tij për këtë proces. “Në takim u fol edhe për dialogun me Serbinë, ku ambasadori u njoh me qëndrimin e Lëvizjes për një dialog i cili do të duhej të paraprihej nga forcimi i shtetit të Kosovës dhe do të duhej të drejtohej nga kryeministri i vendit”, është thënë në komunikatë për medie të LV-së.

Ndërsa ditë më parë kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Fatmir Limaj, ka ftuar të gjitha partitë politike që të zotohen se do të kontribuojnë për përmbylljen e dialogut me Serbinë pas zgjedhjeve të 6 tetorit. Përmes një letre drejtuar kandidatëve për kryeministër në zgjedhjet e 6 tetorit, ai ka vlerësuar se secili prej kandidatëve duhet të kuptojë se interesi i Kosovës duhet të jetë mbi interesat e tjera.

“Nisma Socialdemokrate zotohet publikisht se pas zgjedhjeve të 6 tetorit do të vazhdojë të jetë pjesë konstruktive e politikës shtetërore të Kosovës dhe në legjislaturën e VII do të kontribuojë, së bashku me miqtë ndërkombëtarë të Kosovës, të përmbyllet dialogu me Serbinë dhe të hapet një faqe e re e historisë së kësaj pjese të Ballkanit Perëndimor”, kishte deklaruar Limaj.

Ai pati vlerësuar se pavarësisht prej pozitës së tyre pas zgjedhjeve, partitë politike duhet të kuptojnë se vetëm duke e vendosur interesin nacional të parin mund të kthehet besimi i qytetarëve tek institucionet. “Edhe pse në këtë garë elektorale hyjmë me besim se koalicioni ynë do të dalë fitues, zotimin publik se do të jemi pjesë konstruktive e politikës shtetërore të Kosovës do të përmbushet nga ana jonë pa marrë parasysh nëse do të jemi pjesë e qeverisjes apo si forcë politike opozitare: Interesi i Kosovës është mbi të gjitha! Vetëm duke u zotuar se interesat e Kosovës do t’i vëmë para interesave partiake dhe duke respektuar zotimet tona do ta kthejmë besimin e qytetarëve tanë dhe të aleatëve të Kosovës në institucionet e shtetit tonë të pavarur”, ka vlerësuar Limaj.

Këtë mandat kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj kishte thënë se nuk ka kohë që të merret me procesin e dialogut Kosovë – Serbi, derisa me këtë çështje ishte marrë presidenti Hashim Thaçi.

Më pas, me ndihëm e PSD-së koalicioni qeverisës kishte miratuar një platformë për bisedime dhe një ligj i cili parashihte që procesi i dialogut do të udhëhiqet nga një ekip negociator i mandatuar nga Kuvendi.

Subjektet opozitare, LDK-ja dhe LV-ja, e kishin kundërshtuar këtë ligj duke e dërguar në Gjykatë Kushtetuese. Më pas, kjo e fundit ligjin e kishte shpallur kundërkushtetues.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, ka…