
Kandidati i AAK-së për kryetar të Junikut, Agron Kuçi, kërcënohet me jetë
“Pas denoncimit publik të skandaleve dhe keqpërdorimeve zgjedhore të ndodhura në komunën tonë, të kryera nga individë e grupe që nuk ia duan të mirën Junikut, sot jam përballur me një tjetër akt të ulët kërcënime me jetë dhe tentativa për frikësim e shantazh”, ka shkruar në “Facebook” kandidati i AAK-së për kryetar të Junikut, Agron Kuçi.
Ai ka theksuar se përveç tentativave përmes personave që kanë ardhur në shtëpinë e tij, duke kërkuar të tërhiqet nga demaskimi i manipulimeve me vendbanime dhe listat e votuesve, sot ka pranuar edhe kërcënime të drejtpërdrejta me jetë nga, A.M militant i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i cili është gjithashtu zyrtar komunal.
“Edhe gjatë fushatës ka pasur kërcënime indirekte nga aktivistë të kësaj partie, por i kam injoruar për të ruajtur qetësinë në Junik dhe për të mos e dëmtuar procesin zgjedhor. Megjithatë, kërcënime si këto të sotit nuk mund t’i injoroj, prandaj rastin e kam paraqitur në organet kompetente. Ata që mashtruan e shpifën, që blenë vota me shuma të mëdha dhe kontrabanduan votues nga komuna të tjera përmes ndërrimit të vendbanimeve, tani, pasi janë zbuluar dhe ballafaquar me fakte e dëshmi, po përpiqen ta heshtin të vërtetën me kërcënime e presione”, ka shkruar Kuçi.
Ai ka theksuar se kjo është fytyra e një kaste politike që, për pushtet, nuk njeh kufij moralë, ligjorë, e as njerëzorë.
“Por dua t’i siguroj të gjithë se as nuk frikësohem, as nuk zbrapsem”.
“Me kërcënime të tilla jam përballur edhe nga regjimi i atëhershëm, por as atëherë nuk jam përkulur dhe as sot nuk do të përkulem”, ka shkruar Kuçi.