Kandidati për kryeparlamentar të votohet veç tri herë, Kushtetuesja: Propozimi s’duhet të bëhet bllokadë që pamundëson arritjen e shumicës

18 gusht 2025 | 15:11

Gjykata Kushtetuese e ka arsyetuar vendimin që emri i një kandidati apo kandidateje për kryetar/e të Kuvendit të hidhet në votim deri në tri herë.

Kushtetuesja ka publikuar aktgjykimin e plotë, në arsyetimin e të cilit përmendet edhe kjo çështje.

Gjykata Kushtetuese ka thënë se propozimi i vazhdueshëm për votimin e një kandidati apo kandidateje të njëjtë për kryeparlamentar/e nuk duhet ta bllokojë Kuvendin dhe ta pamundësojë arritjen e shumicës së votave të nevojshme (61).

“Në këtë kontekst, gjykata konsideron që propozimi i vazhdueshëm për votim të kandidatit/es së njëjtë për Kryetar/e të Kuvendit nga ana e grupit më të madh parlamentar nuk duhet të shërbejë si mekanizëm i bllokimit që do të pamundësonte arritjen e shumicës së votave të të gjithë deputetëve. Për këtë qëllim, gjykata vlerëson që përcaktimi i një mekanizmi debllokues për propozimin e kandidati/es për kryetar/e të Kuvendit konsiderohet si i domosdoshëm dhe në mënyrë thelbësore do t’i shërbente përmbushjes së detyrimit kushtetues për konstituimin e Kuvendit dhe fillimin e funksionimit të tij si organ përfaqësuesi i sovranit. Në dritën e këtij elaborimi, gjykata vlerëson që në rast të dështimit të arritjes së shumicës së votave të të gjithë deputetëve për zgjedhjen e kryetarit/es të Kuvendit, votimi i kandidatit/es të propozuar për kryetar/e të Kuvendit mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë”, është thënë në arsyetimin e Kushtetueses.

Këtë, Kushtetuesja ka bërë me dije se e bazon në “frymën e Kushtetutës për zgjedhjen e krerëve të institucioneve”.

“Rrjedhimisht, gjykata, si autoritet përfundimtar për interpretim të Kushtetutës, bazuar në rrethanat e rastit konkret dhe marrë për bazë që seanca konstituive e Kuvendit edhe pas përfundimit të afatit 30 (tridhjetë) ditor të përcaktuar me Kushtetutë nuk ka përfunduar, konstaton që votimi i një kandidati/eje të njëjtë për kryetar/e të Kuvendit nuk mund të realizohet më shumë se 3 (tre) herë. Kufizimi në 3 (tre) raunde votimi për të njëjtin kandidat, duke u bazuar në frymën e Kushtetutës dhe zgjedhjen e krerëve të institucioneve, është mekanizëm mbrojtës që siguron që vullneti i qytetarëve i shprehur përmes zgjedhjeve parlamentare të mos manifestohet në një boshllëk institucional shtetëror, por të jetësohet përmes konstituimit të Kuvendit si ushtrues i sovranitetit dhe si organ me kompetenca legjislative dhe mbikëqyrëse”, është thënë në arsyetimin e Kushtetueses.

Në këtë kontekst, Kushtetuesja ka përmendur zgjedhjen e presidentit dhe zgjedhjen e Avokatit të Popullit si shembuj.

“Gjykata këtë konstatim e ndërlidh edhe me përcaktimet kushtetuese dhe ligjore lidhur me votimin e krerëve të institucioneve tjera nga ana e Kuvendit (shih, nenin 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës dhe nenin 9 (Zgjedhja e Avokatit të Popullit) të Ligjit Nr.05/L- 019 për avokatin e Popullit), proces i cili zhvillohet brenda një afati të përcaktuar dhe përmes një numri të arsyeshëm të raundeve të votimit. Prandaj, gjykata vlerëson që kufizimi i mundësisë së votimit të të njëjtit/es kandidat/e për kryetar/e të Kuvendit deri në 3 (tre) herë konsiderohet si një mekanizëm dhe mundësi që deputetët e zgjedhur, në frymën e bashkëpunimit konstruktiv të në frymën e ushtrimit të mandatit të tyre kushtetues sipas përcaktimeve të Kushtetutës të arrijnë që realizojnë detyrimet e tyre kushtetuese për zgjedhjen e kryetarit/es të Kuvendit”, është thënë në arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur…