Kandidati për kryetar të FFK-së: Klubet besimin, unë ndryshimin e zhvillimin

28 prill 2021 | 14:54

Bekim Shotani mbrëmë, në orët e vona të natës, befasoi kur e shpalli kandidaturën për president të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), njësoj siç bëri para tri ditësh ish donatori llapjan, Nexhat Dumnica.

Tani trajneri vushtrrias po shpreson që klubet t’ia japin nënshkrimet e nevojshme për të hyrë në garë në Kuvendin Zgjedhor të FFK-së, i cili sipas presidentit Agim Ademi duhet të mbahet në vitin e ardhshëm, kurse kundërshtarët e tij gjithnjë ia kontestojnë mandatin dhe kërkojnë zgjedhje sa më të shpejta.

“Po, do ta paraqes kandidaturën time. Besoj se do t’i siguroj nënshkrimet, të shohim. Duhet të reflektojnë pozitivistet edhe klubet. Unë plan programin zhvillimor, klubet besimin.  Unë besoj se me plan program të punës që do ta prezantojë do ta fitojë besimin. Do ta punojë në detaje plan programin dhe do ta prezantojë”, ka deklaruar Shotani për Gazetën Express.

Tema e zgjedhjeve në shtëpinë e futbollit është bërë aktive këto ditë, kur para Shotanit kandidaturën e bëri zyrtare ish-donatori kryesor i Llapit, Nexhat Dumnica, i cili e ka marrë seriozisht këtë aventurë.

Pastaj, as ish futbollisti i famshëm, Kujtim Shala, nuk e përjashtoi mundësinë e kandidimit për të parin e FFK-së, duke pohuar se një gjë e tillë po i kërkohet me të madhe nga shumë njerëz të futbollit.

Ndërkohë, një grup i vjetër opozitar i Agim Ademit, e po ashtu edhe prijës të disa klubeve, thuhet se po punojnë intensivisht në terren për ta ndryshuar kryesinë e FFK-së, e cila gjithashtu po punon për ta siguruar të ardhmen e vet.

Gazeta Express shkruan se krejt këto zhvillime po ndodhin në një kohë kur futbolli i Kosovës po ballafaqohet me probleme, mungesë rezultatesh të Kombëtares së Kosovës, e në anën tjetër me dhunë e eksese nëpër ndeshje futbollistike në rangje më të ulëta, e së fundmi edhe me kthimin e akuzave e dyshimeve për kurdisje të rezultateve në Superligë dhe Kupë dhe krijimin e aleancave.

“Besoj se ka nevojë për plan dhe fillim të ri e ide të reja. Unë mendoj ta sjelli një frymë të re. Gjithmonë ka vend për më mirë. Unë besoj se ne mund të bëhemi shembull në Ballkan dhe me punë arrihen të gjitha. Në çdo pikë ka vend për përmirësime dhe ndryshime. Nuk them që s’është punuar asgjë, por them se ka shumë mundësi në shekullin 21, të jemi të barabartë me standarde të punës dhe të ndryshojmë aty ku na lejon statusi”, u shpreh Shotani.

Zakonisht zgjedhjet në FFK janë mbajtur veç me një kandidatë, për çka drejtuesit e futbollit kritikoheshin për mbledhje të nënshkrimeve në mënyrë jodemokratike duke ua mohuar mundësinë e kandidimit kandidatëve tjerë potencial.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Real Madrid barazoi me Chelsean në ndeshjen e parë të…