Kandidatja properëndimore fiton zgjedhjet presidenciale në Moldavi

16 nëntor 2020 | 11:39

Maia Sandu, një ish-ekonomiste e Bankës Botërore që mbështet lidhjet më të ngushta me Bashkimin Evropian, është fituesja e balotazhit të zgjedhjeve presidenciale të Moldavisë.

Sandu ka fituar 57 për qind të votave, duke i siguruar asaj një fitore ndaj presidentit prorus në detyrë, Igor Dodon, i cili ka fituar 43 për qind të votave. Rezultatet janë në bazë të 99 për qind të votave të numëruara, ka thënë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Mbështetësit e Sandu kanë festuar fitoren e saj në selinë e Partisë së Veprimit dhe Solidaritetit (PAS).

Pjesëmarrja e votuesve ishte shumë e lartë në zgjedhjet e 15 nëntorit, më shumë se 52 për qind – gati 10 për qind më e lartë se pjesëmarrja gjatë raundit të parë.

Balotazhi ishte vendimtar për ish-republikën Sovjetike nëse ajo do të lëvizë më pranë Bashkimit Evropian apo do të tërhiqet më shumë në orbitën e Moskës.

“Sot, ju keni fuqinë të ndëshkoni ata që ju grabitën, të cilët ju zhyten në mjerim dhe ju detyruan të largoheni nga shtëpia juaj”, ka thënë Sandu pasi votoi në Kishinau. Rivali i saj, është akuzuar për korrupsion ndërsa ishte në detyrë.

Pjesëmarrja e diasporës moldave ka qenë shumë e lartë në këto zgjedhje.

Dodon, ndërkohë, tha se ai “votoi për paqen”, “drejtësinë shoqërore” dhe “vlerat e krishtera” pasi votoi në kryeqytet.

“Ne duhet të mbajmë marrëdhënie të mira me Bashkimin Evropian dhe me Rusinë”, ka thënë ai.

Ai është kritikuar për trajtimin e pandemisë së koronavirusit, gjatë së cilës më shumë se 89.000 moldavë janë infektuar dhe më shumë se 2 000 kanë vdekur.

Moldavia, me një popullsi prej rreth 3.5 milionë, është një nga vendet më të varfra të Evropës dhe është e ndarë ashpër midis atyre që mbështesin lidhje më të ngushta me Rusinë dhe atyre që mbrojnë lidhje me BE-në dhe, veçanërisht, me Rumaninë fqinje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Javier Mascherano ka njoftuar se do të pensionohet nga futbolli,…