Kandidaturat për kryetar të LDK-së tregojnë krizën e konceptit politik të saj

11 mars 2021 | 11:08

Milazim Krasniqi, një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), beson se Kuvendi i 14 marsit do të shkojë mbarë për këtë subjekt politik. Ai ka thënë se LDK-ja këtë kuvend duhet ta shfrytëzojë për ta mobilizuar anëtarësinë dhe për t’i rikthyer ata që e kanë braktisur këtë parti.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Krasniqi ka deklaruar se kjo parti nuk duhet të lejojë përçarje të reja në këtë kuvend.

“Unë dëshiroj dhe shpresoj që ai kuvend të shkojë mirë dhe mbarë në mënyrë që të shndërrohet në një rast të rimëkëmbjes së mirëfilltë të LDK-së. Sepse ata kanë ardhur në një pikë kritike. Për këtë arsye besoj se do ta mbledhin mendjen dhe nuk do të lejojnë përçarje të mëtejshme. Ata do të duhej të shfrytëzojnë këtë kuvend për ta mobilizuar anëtarësinë dhe për të bërë përpjekje që ta kthejnë atë pjesë të anëtarësisë që është  shkëputur prej tyre në zgjedhjet e 14 shkurtit”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka vlerësuar se kësaj partie i duhen reforma të thella. “LDK-së i duhet një reformë rrënjësore në aspektin strukturor dhe administrativ, por i duhet edhe një narracion tjetër për gjeneratat e reja, nëse dëshiron që të bëhet atraktive për ta”, është shprehur ai.

Duke folur për kandidaturat e propozuara për kryetar të partisë, ai ka thënë se ato janë figura me profile tërësisht të ndryshme prej njëra-tjetrës.

“LDK-ja ka tri kandidatura shumë interesante. Secila prej tyre është një storie dhe tash varet nga mençuria e delegatëve të kuvendit se çfarë do të zgjedhin. Se a do t’i zgjedhin ato vlerat e periudhës të luftës me Anton Qunin, se a do t’i zgjedhin vlerat tradicionale rugoviste me Lutfi Hazirin, apo do të zgjedhin konceptin reformist me Lumir Abdixhikun, mbetet në dorën e delegatëve”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, opozita duhet të qëndrojë në sallën e Kuvendit në momentin e zgjedhjes së presidentit. “Jam i bindur që edhe LDK-ja dhe PDK-ja bëjnë veprim korrekt nëse rrinë në sallë dhe japin mundësinë që Vjosa Osmani të zgjedhjet presidente. Pastaj ata mund të bëjnë një opozitarizëm  konstruktiv brenda institucioneve dhe jo të jenë bllokuese”, ka thënë Krasniqi.

 “Epoka e re”: Z. Krasniqi, në zgjedhjet e 14 shkurtit LDK-ja pothuajse është përgjysmuar në elektorat. Çfarë mendoni se ka ndikuar në këtë rënie të LDK-së?
Krasniqi: Për këto vite LDK-ja ka neglizhuar procesin e reformave, procesin e përtëritjes së partisë, procesin e ndryshimeve programore në pajtim me ndryshimet që kanë ndodhur në shoqëri. Dhe si rezultat i kësaj ka ardhur deri tek akumulimi i problemeve dhe me këtë ka ndodhur shkëputja nga elektorati i saj. Natyrisht se kjo ka qenë e shoqëruar edhe me gabime kardinale të udhëheqjes së LDK-së, veçmas të Isa Mustafës, i cili ka treguar një kokëfortësi irracionale për refuzimin e asaj çfarë do të duhej të ishte interesi i LDK-së.

 “Epoka e re”: Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka paralajmëruar dorëheqjen dhe për këtë arsye e kanë caktuar më 14 mars mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të ri. Si e shihni mbarëvajtjen e këtij kuvendi?
Krasniqi: Unë dëshiroj dhe shpresoj që ai kuvend të shkojë mirë dhe mbarë, në mënyrë që të shndërrohet në një rast të rimëkëmbjes së mirëfilltë të LDK-së. Sepse ata kanë ardhur në një pikë kritike. Për këtë arsye besoj se do ta mbledhin mendjen dhe nuk do të lejojnë përçarje të mëtejshme. Ata do të duhej të shfrytëzojnë këtë kuvend për të mobilizuar anëtarësinë dhe për të bërë përpjekje që ta kthejnë atë pjesë të anëtarësisë që është shkëputur prej tyre në zgjedhjet e 14 shkurtit.

 “Epoka e re”: Deri më tani kemi parë tri kandidatura zyrtare për kryetar të LDK-së. Cili është komenti juaj për kandidaturën e Anton Qunit, Lutfi Haziri dhe Lumir Abdixhikut?
Krasniqi: Këto tri kandidatura në mënyrë simbolike tregojnë krizën e konceptit politik të LDK-së. Pse? Sepse janë tri figura me profile tërësisht të ndryshme prej njëra-tjetrës. Anton Quni vjen prej luftës çlirimtare dhe si figurë e tillë ka qenë shumë i dobishëm për LDK-në në vitet 2000-2005 kur LDK-ja akuzohej se ka sabotuar luftën. Një figurë e tillë në hierarkinë e lartë të partisë do të ishte shumë e dobishme për t’i amortizuar akuzat ndaj LDK-së. Mirëpo sot, pas 20 vjetëve, unë nuk shoh se me çfarë idesh Anton Quni mund ta reformojë partinë. Kurse Lutfi Haziri mendoj se është njëra nga figurat prominente të LDK-së, një rugovist i dëshmuar, një njeri që ka treguar një konsekuenecë të jashtëzakonshme në parti. Në këtë rast, problemi i LDK-së është në koncept. Nëse LDK-ja aspiron që ta ruajë anëtarësinë ekzistuese dhe anëtarësinë tradicionale që është pasivizuar, Lutfi Haziri mund të jetë figura më e përshtatshme. Në anën tjetër, Lumir Abdixhiku është një figurë e re. Nëse LDK-ja aspiron që të kapë një hapësirë të re të elektoratit, qoftë rininë, qoftë ata që nuk janë në LDK, ai mund të jetë më shumë një figurë magnetizuese për atë tip të elektoratit. Pra, LDK-ja ka tri kandidatura shumë interesante ku secila prej tyre është një storie dhe tash varet nga mençuria e delegatëve të kuvendit se çfarë do të zgjedhin. Se a do t’i zgjedhin ato vlerat e periudhës së luftës me Anton Qunin, apo vlerat tradicionale rugoviste me Lutfi Hazirin ose do të zgjedhin konceptin reformist me Lumir Abdixhikun, mbetet në dorën e delegatëve.

“Epoka e re”: Në këtë situatë, cili prej këtyre kandidatëve do të ishte më i duhuri për LDK-në?
Krasniqi: Unë vlerësoj se detyra e zgjedhjes së kryetarit i takon ekskluzivisht Kuvendit të LDK-së dhe nuk do të dëshiroj të interferoj në vendimin e delegatëve të atij kuvendi. Prandaj, do të rezervohem nga deklaratat për emra të përveçëm në kuptimin e favorizimit. Është publikisht e njohur që unë Lutfi Hazrin e kam mik të vjetër dhe preferenca personale imja mund të jetë ai për shkak të miqësisë. Por këtu unë nuk po flas për miqësi, por për konceptim politik që duhet ta artikulojë LDK-ja në atë kuvend. Është e mundshme që në kuvend të ketë edhe kandidatura të tjera të cilat mund ta begatojnë kuvendin zgjedhor. Personalisht mendoj se z. Quni, z. Haziri dhe z. Abdixhiku meritojnë respektin e anëtarësisë së LDK-së, sepse kanë dalë si kandidatë në një moment shumë të vështirë. Ata nuk kanë dalë tash për të marrë favore, sepse nuk e kanë fare të sigurt rezultatin, por kanë dalë me vullnetin që të bëjnë diçka të mirë për LDK-në dhe në këtë aspekt mendoj se anëtarësia e LDK-së duhet ta vlerësojë.

 “Epoka e re”: Pa zgjedhjes të kryetarit të ri, cilat janë veprimet që duhet t’i ndërmarrë ai për reformimin e kësaj partie?
Krasniqi: Kjo është pyetja më esenciale. Së pari, kryetari i ri do të duhej të fillonte një proces të ndryshimit të statutit dhe programit, duke i përshtatur me realitetet e reja dhe me orientimin e LDK-së si parti e qendrës së djathë. Së dyti, kryetari i ri do të duhej ta fillonte procesin e përgatitjes së një kuvendi të ri, i cili do të duhej të mbahej para zgjedhjeve lokale për ta përtërirë partinë në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe nivelin lokal. Kjo më së miri do të  ishte që të zhvillohej sipas parimit ‘një anëtar një votë’. Në këtë drejtim, jam i bindur që shumë prej funksionarëve të lodhur të LDK-së do të shmangeshin dhe do të vinin në shprehje kuadrot e reja për ta dhënë kontributin e tyre në LDK. Së treti, LDK-ja duhet të fillojë ta ndërtojë një narracion më konkret për historinë e saj dhe për figurat e saj. Sepse LDK-ja në mënyrën më të pafytyrë për këto vite i ka harruar themeluesit e saj, i ka harruar kontributet e mëdha që kanë dhënë gjeneratat e tëra të njerëzve për fuqizimin e LDK-së, i ka harruar bashkatdhetarët që kanë pasur rol vendimtar për mbajtjen e jetës sociale dhe ekonomike në Kosovë gjatë viteve të okupimit. Pra, është mbyllur deri në atë masë sa është shndërruar në parti të disa pashallarëve lokalë. LDK-së i dihet një reformë rrënjësore në aspektin strukturor dhe administrativ, por i duhet edhe një narracion tjetër për gjeneratat e reja nëse dëshiron që të bëhet atraktive për ta.

“Epoka e re”: Lidershipi i ri i LDK-së si duhet të sillet me ish-kandidaten e tyre për kryeministër, Vjosa Osmani, e cila tash është kandidate për presidente?
Krasniqi: Personalisht mendoj se fitorja e LV-së dhe Vjosa Osmanit më 14 shkurt është fitore bindëse dhe është fitore e pastër. Rezultati secilit i ka treguar që ata kanë marrë një mandat të pastër për ta qeverisur Kosovën. Pjesa tjetër është çështje teknike. Se a do të rrinë në Kuvend apo jo, kjo nuk e zhbën faktin që LV-ja dhe Vjosa Osmani janë fitues të zgjedhjeve. Prandaj, jam i bindur që edhe LDK-ja edhe PDK-ja bëjnë veprim korrekt nëse rrinë në sallë dhe japin mundësinë që Vjosa Osmani të zgjedhet presidente. Pastaj ata mund të bëjnë një opizitarizëm  konstruktiv brenda institucioneve dhe jo të jenë bllokuese. Filozofia e bllokimit ka qenë filozofi e LV-së dhe këto parti nuk do të duhej ta riciklonin atë, por do të duhej të jenë konstruktive. Është interes shtetëror i Kosovës konsolidimi sa më i shpejtë i institucioneve, pastaj të vazhdojë gara politike. Në fund të këtij viti janë zgjedhjet lokale dhe secili e ka shansin ta përmirësojë gabimin dhe të dalë me rezultate më të mira në zgjedhjet e ardhshme.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të dielën, më 14 mars,…