Kane rikthehet në stërvitje para përballjes Real – Bayern

06 prill 2026 | 13:47

Harry Kane është rikthyer në stërvitje me ekipin e parë të Bayern Munichut në prag të ndeshjes së madhe ndaj Real Madridit në Ligën e Kampionëve.

Sulmuesi anglez mori pjesë në seancën e fundit stërvitore të zhvilluar sot përpara ndeshjes së parë çerekfinale që do të luhet në “Santiago Bernabéu”.

Kane e kishte pësuar një lëndim në kyçin e këmbës gjatë pushimit me kombëtaren e Anglisë, çka e detyroi të mungojë në fitoren 3-2 të Bayernit ndaj Freiburgut në fundjavë.

Megjithatë, rikthimi i tij në stërvitje e ka rritur optimizmin në kampin bavarez.

Sipas raportimeve nga “Sky Germany”, ekziston një optimizëm i kujdesshëm që 32-vjeçari mund të jetë gati madje edhe për të startuar ndaj Real Madridit.

Edhe trajneri Vincent Kompany dhe drejtori sportiv Max Eberl janë shprehur pozitivë për gjendjen e sulmuesit, duke besuar se ai mund të jetë në dispozicion për këtë përballje të rëndësishme.

Në seancën stërvitore morën pjesë pothuajse të gjithë lojtarët e ekipit të parë, me përjashtim të portierit të tretë Sven Ulreich.

Ndeshja mes Real Madridit dhe Bayern Munichut do të zhvillohet të martën nga ora 21:00, në një duel që pritet të jetë një nga më spektakolarët e këtij sezoni në Champions League.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kylian Mbappe ka zbuluar se cila, sipas tij, është pozita…