Kaos, radhë dhe vjedhje pajisjesh në ditën e parë të samitit historik të IA-së në Indi

18 shkurt 2026 | 07:53

Samiti i Ndikimit të Inteligjencsë Artificiale në Indi, i cilësuar si një takim historik i liderëve globalë dhe drejtuesve të teknologjisë, u eklipsua nga kaosi logjistik në ditën e hapjes në Delhi të hënën.

Pjesëmarrësit u ankuan për radhë të gjata, mbipopullim dhe konfuzion në vend, duke thënë se iu desh të prisnin me orë të tëra.

Disa gjithashtu raportuan qasje të kufizuar në ushqim dhe ujë dhe thanë se produktet e tyre ishin vjedhur nga tezga e tyre, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Samiti pesëditor, i inauguruar nga kryeministri Narendra Modi, po promovohet si takimi i parë i madh ndërkombëtar i IA-së i organizuar në Jugun Global.

Të martën, Ministri i Teknologjisë së Informacionit i Indisë, Ashwini Vaishnaw, u kërkoi falje ekspozuesve për “çdo problem ose shqetësim”.

Më shumë se 100 vende po marrin pjesë, me udhëheqës të teknologjisë, përfshirë Sam Altman të OpenAI dhe Sundar Pichai të Alphabet Inc, që pritet të marrin pjesë.

Duke folur në inaugurim, Modi tha se samiti shfaqi “potencialin e jashtëzakonshëm të IA-së, talentit dhe inovacionit indian”, duke shtuar se India synonte të formësonte zgjidhje “jo vetëm për Indinë, por për botën”.

Por dita e hapjes “u njollos” nga ankesat për menaxhim të dobët të turmës në vendin e samitit Bharat Mandapam.

Deri të hënën pasdite, mediat sociale u mbushën me ankesa nga themeluesit, ekspozuesit dhe delegatët, të cilët thanë se kontrollet e sigurisë dhe mbylljet e minutës së fundit i lanë të bllokuar jashtë sallave të ekspozitës.

Maitreya Wagh, bashkëthemelues i startup-it të inteligjencës artificiale zanore Bolna, shkroi në X se nuk ishte në gjendje të hynte në stendën e kompanisë së tij pasi portat u mbyllën.

Punit Jain, themelues i platformës teknologjike Reskill, përshkroi “radhë në orën 7 të mëngjesit” të ndjekura nga orë pritjeje dhe një “evakuim të plotë” para mbërritjes së kryeministrit.

E Reuters raportoi se disa folës ishin ende duke pritur konfirmimin e orareve të sesionit të tyre, duke shtuar shqetësimet për keqmenaxhim.

Madje Dhananjay Yadav, themelues i startup-it të inteligjencës artificiale NeoSapiens, pretendoi se produktet nga tezga e kompanisë së tij u vodhën në vendngjarje.

Duke shkruar në X, ai tha se firma kishte shpenzuar shumë për udhëtime, akomodim dhe hapësirë ekspozimi, “vetëm për të parë pajisjet tona të zhdukeshin brenda një zone të sigurisë së lartë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, do…