Karaqi përballet me medalistë botërorë dhe evropianë në Lojërat Evropiane

28 qershor 2019 | 18:15

Alvin Karaqi ka mësuar kundërshtarët për garat e karatesë në Lojërat e Dyta Evropiane “Minsk 2019”. Karateisti i Kosovës, Alvin Karaqi, në kategorinë -84 kilogramë ndodhet në grupin B, ku bartës i grupit është kampioni i tanishëm botëror, Ivan Kvesiq nga Kroacia, njëherësh kampion edhe i Evropës për vitin e kaluar. Dy kundërshtarët e tjerë janë nënkampioni i tanishëm botëror, Valerii Chobotar i Ukrainës dhe Nikola Malovic i Malit të Zi, medalist i bronztë në evropianin e këtij viti të mbajtur në Guadalajara të Spanjës.

Garat e karatesë zhvillohen në grupe. Në kategorinë e Alvinit janë tetë garuesit më të mirë të Evropës, të ndarë në dy grupe. Garat zhvillohen secili me secilin, kurse në gjysmëfinale kalojnë dy të parët e grupit. “Është short shumë i vështirë. Janë të gjithë medalistë botërorë dhe evropianë. Luftën e parë e ka me Kvesiqin, që është bartës i grupit nga renditja e Minskut. Pres që Alvini të tregojë më të mirën”, ka thënë trajnerja e tij Shqipe Zogiani për “noc-kosovo.org”.

Karateisti Karaqi nuk ka preferuar të flasë, duke dashur ta ruajë gjithë fokusin te garat. Luftën e parë Alvini e zhvillon me kroatin Kvesiq, të cilin e kishte mposhtur në Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”, por që ka edhe humbje ndaj tij. Të dytën e zhvillon me Chobotar të Ukrainës, kurse të tretën me malazezin Maloviq. Karaqi në Lojërat Evropiane “Baku 2015” kishte zënë vendin e katërt, duke i ikur për pak medalja. Garat fillojnë sot (e shtunë), ndërsa kategoria e Alvinit fillon në orën 12:00 me kohën tonë lokale.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, nesër (e shtunë) mban…