Karateistët e Kosovës diskriminohen, nuk u lejohen simbolet shtetërore në Kampionatin Evropian
Në Qipro është duke u zhvilluar Kampionati Evropian i Karatesë për Kadetë, Junior dhe U21. Por, karateistët e Kosovës janë detyruar të garojnë pa simbolet shtetërore të Republikës.
Nazmi Gashi, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Karatesë së Kosovës, ka thënë se në momentin që këto gara janë alokuar në Qipro, nga federata është dërguar ankesë në institucionet e Federatës Evropiane dhe Federatës së Qipros.
Ai ka thënë se në vitin 2023 flamuri i Kosovës nuk ishte i vendosur në këto gara, andaj dhe paraprakisht kësaj radhe dërguan ankesë. “‘Nuk mundemi me lejuar sepse Qipro nuk e njeh Kosovën, dhe shteti ka vendosur që ju të garoni me flamurin e Federatës’. Normalisht që ne në vitin 2023 nuk kemi marrë pjesë në garë”, ka thënë Gashi për arsyetimin e mosvendosjes së simboleve të Kosovës në këto gara.
Megjithatë, duket se Federata e Karatesë së Kosovës është duke u përballur me diskriminim të njëjtë edhe këtë vit.



