Karateistët synojnë pikë në Dubai për turneun kualifikues të Parisit

14 shkurt 2020 | 10:21

Premierë Liga e Dubait 2020, që mbahet prej 14-16 shkurt 2020, është stacioni i radhës i karateistëve në rrugën drejt kualifikimit për në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Gara e Dubait të Emirateve të Bashkuara Arabe është një prej më të rëndësishmeve për mbledhjen e pikëve për normë olimpike.

Në Dubai vendin tonë do ta përfaqësojnë katër karateistët: Adelina Rama (-61 kg), Fortesa Orana (+68 kg), Elhami Shabani (-75 kg) dhe Herolind Nishevci (+84 kg).

Sipas përzgjedhësit, Ylber Syla, synimet e tyre janë grumbullimi i sa më shumë pikëve për kualifikim në turneun kualifikues të Parisit, që vlen për kualifikim direkt në LO Tokio 2020. “Presim paraqitje të mirë. Forma e garuesve është e mirë. Synimi është të mbledhim edhe pikë për kualifikim në garën e Parisit, më pas synojmë kualifikimin për ‘Tokio 2020’”, ka thënë Syla për Komitetin Olimpik të Kosovës.

Turneu kualifikues Paris 2020 mbahet prej 8-10 maj të këtij viti. Për të marrë pjesë në këtë garë, garuesit tanë duhet të jenë në mesin e top 50 garuesve më të mirë në kategori në renditjen botërore. Pikërisht në Paris, karateistët i kanë shpresat më të mëdha për ta fituar normën olimpike pasi, bazuar në renditjen olimpike, shpresat janë shumë të vogla, pavarësisht se deri në përfundim të kualifikimit olimpik mbeten edhe garat e tjera si në Dubai, Salzburg, Rabat, Madrid e Moskë. Momentalisht Herolind Nishevci është i 26-ti në renditjen botërore, Elhami Shabani i 56-ti, Fortesa Orana e 29-ta dhe Adelina Rama e 90-ta.

Në Premierë Ligën e Dubait të premten garon Elhami Shabani, ndërsa të shtunën tre garuesit e tjerë: Herolind Nishevci, Fortesa Orana e Adelina Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar sot në Mynih të Gjermanisë…