Kardiologjia Invazive në QKUK dhe Prizreni, mbi 4 600 procedura kardiologjike për tetë muaj

14 gusht 2025 | 08:24

Shërbimi i Kardiologjisë Invazive në QKUK ka realizuar gjithsej 2,873 procedura diagnostike të koronarografisë dhe 1,814 ndërhyrje me stentim nga fillimi i vitit deri më tani, duke përfshirë edhe punën e përditshme në sallën e kateterizimit të Spitalit të Prizrenit.

Shefi i repartit të Shërbimit të Kardiologjisë Invazive në kuadër të Klinikës së Kardiologjisë në QKUK , Daut Gorani, në intervistë për Ekonomia Online, tha se ky numër është dukshëm më i madh se vitin e kaluar dhe pritet të tejkalojë rekordin vjetor.

“Në shërbimin tonë bëhet një punë e jashtëzakonshme, përveç në QKUK, po ashtu mbulojmë edhe spitalin e Prizrenit, sallën e kateterizimit në spitalin e Prizrenit me kuadro tona, të cilat nga 1 janari i këtij viti kanë udhëtuar çdo ditë dhe të shtunave kanë mbajtur edhe kujdestari atje dhe kanë realizuar një numër të konsiderueshëm të procedurave. Gjithsej deri me sot janë realizuar 2,873 koronarografi, do të thotë procedura diagnostike. Nga këto 2,355 procedura janë realizuar në QKUK dhe 518 procedura diagnostike janë realizuar në Spitalin e Prizrenit. Ndërsa, sa i përket intervenimeve janë realizuar 1,814 procedura intervenuese, pra stentime, nga të cilat 1,645 procedura janë realizuar në QKUK dhe 169 procedura janë realizuar në Spitalin e Prizrenit”, tha ai.

“Është numër dukshëm më i madh se sa vitin e kaluar, presim që në fund të vitit ta tejkalojmë numrin rekord të vitit të kaluar. Nga kjo shihet se çdo vit numri i procedurave shtohet. Tani me qenë se edhe kemi punuar në Prizren çdo ditë, përpos të dielave, është numri dukshëm më i madh por me të njëjtin staf, me të njëjtin numër të kardiologëve kemi realizuar më shumë procedura”, tha ai.

Gorani ka bërë të ditur se aktualisht shërbimi disponon tri aparate, një në Prizren që është i ri dhe cilësor, ndërsa në QKUK dy aparate të vjetra, por funksionale. Ai ka shtuar se po instalohet një aparat i tretë i ri në QKUK, investim i përbashkët i Qeverisë së Kosovës dhe të Luksemburgut, i cili pritet të vihet në funksion në tetor, duke rritur ndjeshëm kapacitetin e punës.

Ai ka përmendur edhe disa pajisje të tjera të dhuruara si aparati i tomografisë koherente optike dhe ultrazëri intrakoronar, të cilët ende nuk përdoren rregullisht për shkak të kostos së materialeve shpenzuese, por që pritet të aktivizohen pas sigurimit të furnizimeve.

“Momentalisht disponojmë tri aparate, një aparat në Prizren i cili është i ri edhe është i sofistikuar, cilësor, kualiteti i incizimeve që bëhen aty janë shumë të mira. Ndërsa, në QKUK janë momentalisht dy aparate të vjetra mjaft të konsumuara, punojnë, ne megjithatë me to realizojmë procedurat. Tani është duke u instaluar aparati i tretë në QKUK, është investim i përbashkët i Qeverisë dhe Qeverisë së Luksemburgut në formë të donacionit dhe do të jetë po ashtu një aparat shumë i mirë, shumë cilësor me teknologji shumë të avancuar. Po punohet me një intensitet shumë të madh. Është premtuar që në tetor të fillojmë me punë me aparatin e ri dhe pas fillimit të punës së sallës së tretë të kateterizimit në qendrën tonë numri i procedurave do të jetë shumë më i madh. Kemi edhe disa aparate aksesorë për të cilat i kemi sjellë si donacion me kërkesën time, ambasada e Belgjikës ka pranuar donacion shumë të mirë, është një aparat i tomografisë koherente optike, të cilin akoma nuk kemi filluar që ta përdorim për shkak se materiali shpenzues është i shtrenjtë dhe presim që QKUK të sigurojë materialin e nevojshëm që do ta ngre cilësinë e punës. Më herët kemi marrë edhe një donacion shumë të vlefshëm të ultrazërit intrakoronar, kemi bërë disa testime, po ashtu për shkak të materialit shpenzues nuk kemi filluar punën në mënyrë të rregullt, shpresojmë që së shpejti do të furnizohemi për të dyja aparatet. Kjo teknologji përdoret për raste komplekse”, tha ai.

Sa i përket stafit, Gorani ka thënë se në sallën e kateterizimit janë pranuar gjashtë infermierë të rinj me përvojë të mirë dhe se numri i stafit asistues është i mjaftueshëm.

“Në konkursin e fundit është pranuar një numër i mirë i infermierëve apo asistentëve në sallën e kateterizimit, 6 infermierë, shumica prej tyre janë me përvojë të mirë, po ashtu kemi pasur një staf infermier, të cilin e kemi trajnuar me vite të tëra dhe mund të them se sa i përket stafit asistues jemi në rregull, jemi me numër të mjaftueshëm. Sa i përket kardiologëve invazivë po ashtu kemi një numër të mirë të kardiologëve invazivë, të cilët përpos punës ditore e mbulojnë edhe kujdestarinë, gjithsej kanë qenë 19 kardiologë, 2 prej tyre me gjasë kanë lëshuar punën, kanë marrë pushim pa pagesë, si duket nuk do të kthehen më, por megjithatë edhe me numrin ekzistues qëndrojmë shumë mirë, kemi numër të mirë të punëtorëve të kardiologëve”, tha ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ramadan Morina, i dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile,…