Karnevali në stadiumin e Suharekës, a po rrezikon ta dëmtojë fushën e cila do t’i penalizonte dy klube gjatë garave kampionale?
Karnevali që po mbahet në fushën e stadiumit të qytetit në Suharekë ka sjellë mijëra vizitorë dhe atmosferë festive. Megjithatë, përtej muzikës dhe spektaklit, ngrihet një pyetje e rëndësishme: a po sakrifikohet një investim i vlefshëm sportiv për një aktivitet të përkohshëm? Karnevali po zhvillohet brenda stadiumit të qytetit, ku janë mbledhur mijëra qytetarë.
Kjo fushë sportive është renovuar dhe përmirësuar në vitet e fundit me investime të konsiderueshme për nevojat e futbollit dhe zhvillimin e sportit në Suharekë. Stadiumi shërben për ndeshjet zyrtare dhe ka një sipërfaqe me bar artificial, e cila kërkon mirëmbajtje të vazhdueshme dhe mbrojtje nga aktivitetet që nuk janë sportive, raporton GazetaSport.
Vendosja e skenave, pajisjeve të rënda dhe qarkullimi i mijëra njerëzve mbi fushë krijon shqetësime legjitime për dëmtimin e sipërfaqes sportive. Edhe nëse dëmet nuk janë të dukshme menjëherë, lind pyetja se kush do të mbajë përgjegjësi nëse fusha pëson dëmtime dhe kush do t’i mbulojë shpenzimet e riparimit.
GazetaSport nga burime te afërta mëson se nga Federata e Futbollit e cila ka investuar aty nuk është pyetur për leje.



