Karriera ime politike lidhet me qytetarët, me përkrahjen e tyre

26 maj 2020 | 08:29

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-së), Vjosa Osmani, njëherësh kryetare e Kuvendit të Kosovës, ka folur mbrëmë për mundësinë e largimit nga kjo parti, pas mospajtimeve që ka me lidershipin e saj që nga prishja e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.

Osmani ka dhënë sinjale se mund të largohet nga LDK-ja derisa ka cituar një bashkëpartiak, emrin e të cilit nuk e tregoi, por tha se “nuk është esenca vetëm e të qenit në LDK, esenca është që nëpërmjet LDK-së t’i ndihmosh vendit tënd”. Po e njëjta i ka çuar mesazh nënkryetarit Haki Rugova dhe të tjerëve, se derën nga LDK-ja mund t’ia tregojnë vetëm votuesit dhe elektorati i partisë.

“Derën drejt largimit nga LDK-ja mund të ma tregojnë vetëm qytetarët e Kosovës. Votuesit, elektorati, janë ata që mund të ma tregojnë derën. Nëse mbrojtja e fjalës së dhënë nga qytetarët konsiderohet tradhti, unë do ta bëj”, ka thënë Osmani në T7.

Ajo ka thënë se do të jetë në politikë për aq sa mendon se mund ta ndihmojë vendin. “Karriera ime politike përtej emrit të partisë lidhet me qytetarët, me përkrahjen e tyre. Po i bëj të gjitha me qëllimet më të mira, që të mbrohet fjala e dhënë. Unë e shoh bashkëpunimin me LV-në si të domosdoshëm për çkapjen e shtetit. Haki Rugova dhe të tjerët do të ishte mirë të mos bëhen pjesë e propagandës së ndyrë ndaj meje, por t’i lexojnë me vëmendje deklaratat që i kam dhënë, ku e kam sqaruar qëndrimin tim sa i përket bashkëpunimit afatgjatë mes partive në Kosovë.

Kur të përfundojë kjo situatë unë do të shoh, a dëshiroj ta vazhdoj karrierën time politike, nëse po, si është mënyra nëpërmjet së cilës unë më së shumti i ndihmoj shtetit im. Për ta cituar një koleg tonin në LDK, i cili thotë se ‘nuk është esenca vetëm e të qenit LDK, esenca është që nëpërmjet LDK-së t’i ndihmosh vendit tënd’, pra nuk mjafton të ulesh thjesht si pjesë e strukturave, nëse asnjëherë nuk arrin që, porsa të dalësh nga ajo derë, ta ndihmosh vendin tënd. Unë do të jem në politikë përderisa mendoj se mund ta ndihmoj vendin”, ka thënë Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Infektologu Valbon Krasniqi ka folur për situatën e përgjithshme të…