
Kasëm Trebeshina banon në katin e katërt të njërit nga pallatet e shumtë pa ngjyrë!
Nga: Ardian Klosi (1957–2012)
Kasëm Trebeshina banon në katin e katërt të njërit nga pallatet e shumtë pa ngjyrë, pa suva dhe pa gëzim të Tiranës. Hyrja është tepër e ngushtë. Kasëmi punon në dhomën ku priten miqtë. Të vjen çudi se si mund të strehohen në atë dhomë të vogël gjithë ato dorëshkrime që ka shkruar ai në jetën e tij. Nga jashtë nuk duket pothuaj asgjë, veç zbukurimeve në bufenë dymbëdhjetëmijëshe, sheh disa libra në rusisht dhe anglisht. Meqë kjo dhomë pritjeje është e vogël, aty s’ka vend për tryezë pune. Shkrimtari e vë makinën e shkrimit mbi divan dhe punon i përkulur mbi të. Qëkurse ka dalë nga burgu, jeton me një pension prej 370 lekësh.
Në fëmini kishim frikë nga Kasëm Trebeshina, i cili është martuar me një kushërirën time. Të rriturit na thoshin se, për fat të keq, në rrethin tonë prej familjesh të mira, komuniste, kemi edhe një njeri jo të mirë që Partia dhe shteti detyrohen ta mbyllin në burg, prej ligësisë së tij. Pastaj, Kaso është pak i sëmurë, vërenin. Për hir të së vërtetës duhet thënë edhe që në fund të këtij rundi bisede për Kasëmin, im atë shtonte: “megjithatë në Luftë ka qënë shumë trim, është plagosur pesë herë”. Prandaj, sa herë shkonim për vizitë te kushërira, unë kisha frikë në zemër se mos na dilte si fantazëm nga dhoma e tij ai njeri i frikshëm, me kobure në dorë, dhe bënte ndonjë veprim të sëmurë. “Po punon”, thoshte e shoqja. Në të vërtetë, Kasëmi nuk dilte të na takonte.