Kasolli çmimin që UP ua dha Osmanit dhe Kurtit e quan përpjekje për maskim të keqqeverisjes

08 tetor 2025 | 08:11

Analisti politik, Afrim Kasolli e ka quajtur të paprecedent ndarjen e çmimit “Alumni Nderi i UP-së” për presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, raporton Ekonomia Online.

Kasolli në një intervistë për Ekonomia Online, tha se ky vendim i Univeristetit të Prishtinës është mesazh i nënshtrimit ndaj pushtetit.

“Kjo është një ngjarje e paprecedentë ku Universiteti i nderon pushtetarët, nuk them që mos të nderohen ish-pushtetarët dhe ata që nuk kanë pozita aktuale politike mirëpo është një ngjarje jodinjitoze për vetë institucionin akademik të universitetit të Prishtinës sepse transmeton një mesazh që ky institucion më tepër po i nënshtrohet pushtetit e që duhet të jetë e kundërta, ai duhet të jetë vatra kryesore kritike ndaj abuzimeve eventuale që i krijon pushteti gjatë qeverisjes së tij, aq më tepër koha kur po ndodhë ky dekorim është e papërshtatshme do të thotë për rrethanat tona dhe motivacionin sepse po bëhet një nderim i tillë sepse thuhet që për shkak të kontributit të këtyre personaliteteve politike në ndërtimin dhe përfaqësimin e shtetit të Kosovës”, tha ai.

Madje sipas Kasollit e gjithë ngjarja apo siç e tha spektakli për çmimin është  përpjekje për maskim të keq përfaqësimit.

“E vërteta është që evidente që përfaqësimi i shtetit të Kosovës qoftë brenda për shkak të bllokimit të jetë demokratike e institucionale të punës së Kuvendit është në pikën më të ulët të mundshme dhe ne jemi përballë një situate ku demokracia është në rrezik nga këto sjellje të pushtetit. Në anën tjetër përfaqësimi i shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare nuk ndodhet në pozicionin më të mirë të mundshëm për të mos thënë, ndodhet në pikën më të ulët të tij. Prandaj këtë spektakël dhe këtë organizim e shoh si përpjekje për ta maskuar këtë realitet të mjerë të keqpërfaqësimit të shtetit të Kosovës në këto dimensione, gjë që e bëjnë këtë sjellje të Universitetit të Prishtinës jo të duhur, jo të mire dhe përfaqëson një mesazh për dinjitetit që ai duhet ta ketë para opinionit publik”, deklaroi Kasolli për Ekonomia Online.

Kasolli insiston që UP nuk bëri veprimin e duhur me ndarjen e këtyre çmimeve.

“Dashtem apo nuk dashtem transmetohen mesazhe të tilla sepse në fund në opinion mund të transmetohet mesazhi nëse universiteti i Prishtinës e nderon Albin Kurtin, e dëshmon se ai qenka në rrugë të drejtë dhe jo në rrugë të gabuar. Ndërsa duhet me qenë krejt e kundërta që pikërisht Universiteti me sjellë kritike se a është në rrugë të drejtë apo të gabuar pushteti aktual. Prapë po e them se është pozicioni aktual i shtetit të Kosovës dhe nuk është në gjendjen tij më të mirë. Përfaqësimi i tij si brenda ashtu edhe jashtë është jashtëzakonisht i ulët dhe jemi në një situatë ku universiteti në një mënyrë po e maskon këtë realitet nëpërmjet këtij spektakli dhe atëherë e pashmangshme këto mund të shpërdoren si kredi elektorale veçanërisht nga Albin Kurti përballë zgjedhjeve lokale që janë këtë të diele në favor të partisë së tij”, përfundon Kasolli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I dërguari special i ShBA-së, Steve Witkoff, dhe dhëndri i…