Katalogu që na lidh me botën dhe me veten

09 tetor 2025 | 16:04

Thesaret e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës po shpalosen në 81-vjetorin e themelimit të saj, një dëshmi se institucioni më i lartë i librit, pavarësisht prej tronditjeve dhe sfidave të historisë, ka arritur të mbrojë e të ruajë në gjirin e vet pasurinë dhe trashëgiminë intelektuale të Kosovës. Kjo bibliotekë ka qenë dhe mbetet një arkë thesari e kujtesës kombëtare, një dritare e hapur drejt botës së librit, dhe një monument trashëgimie kulturore para të cilit askush nuk mund të rrijë indiferent.

Nën kupolat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ruhen dëshmi të rralla të kulturës sonë: libra që kanë udhëtuar ndër shekuj, dorëshkrime të mbajtura me kujdes, letra që bartin frymën e kohëve të shkuara, gazeta dhe revista që dëftojnë pulsin dhe shpirtin e shoqërisë në epoka të ndryshme, koleksione muzikore dhe fotografi që i japin jetë kujtesës vizuale; objekte që ndërtojnë shtresë-shtresë historinë e kulturën tonë, për të na dëftuar trashëgiminë që na lidh me botën dhe me veten.

Në këtë katalog, që botohet për herë të parë, janë përmbledhur 164 koleksione të veçanta, të cilat përfaqësojnë një mozaik të pasur të traditës sonë shkrimore dhe të bashkëjetesës me kulturën evropiane dhe botërore. Në mesin e tyre gjenden botime të hershme evropiane për figurën e Skënderbeut, si Des aller streytbarsten vñ theüersten Fürsten… Scanderbegus (1533) dhe Histoire de Scanderbeg roy d’Albanie (1709); veprat themelore të filozofisë si Epistolae e René Descartes (1660); si dhe kryevepra të letërsisë dhe kulturës shqiptare, duke filluar nga Dhiata e re e Zotit (1872) dhe Istoria e shkronjësë shenjtëruarë (1872) e Kristoforidhit, te Bagëti e bujqësija (1910) e Naim Frashërit dhe Lahuta e Malcís (1932) e Gjergj Fishtës.

Katalogu pasqyron, gjithashtu, një larmi të gjerë të botimeve të diasporës shqiptare, si Historia e Skënderbeut (1412-1468) e Fan S. Nolit (1921), Pazotnimi shqyptaar i Terenc Toçit (1914), apo botimet e Konstandin Kristoforidhit dhe Josif Jovan Bagerit, të cilët u bënë bartës të gjallë të gjuhës dhe vetëdijes kombëtare. Po aq të rëndësishme janë edhe abetaret dhe tekstet shkollore, si Abetare e gjuhës shqip e Dh. Kotit (1911) apo Abetar për shkollat fillore të Shqipërisë e Aleksandër Xhuvanit dhe P. Pogonit (1922), të cilat dokumentojnë përpjekjet për arsimim dhe standardizim gjuhësor.

Në anën tjetër, koleksioni përmban edhe botime me karakter politik dhe diplomatik, si Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet? e Sami Frashërit (1919), Shqipnia përpara Konferencës së Paqes (1919), apo L’Albanie et la question des frontières e Nuçi Kottës (1946), të cilat janë dëshmi e angazhimit intelektual e politik të shqiptarëve në skenën ndërkombëtare. Nuk mungojnë as botimet letrare të autorëve të njohur, si Kunorë rinije e Sterjo Spasses (1934) dhe Tregtar flamujsh i Ernest Koliqit (1935), dëshmi e zhvillimit tematik të letërsisë shqipe në shekullin XX.

Pos botimeve të rralla, katalogu paraqet dhe koleksione muzikore me partitura, tekste këngësh dhe dokumente që dëshmojnë zhvillimin e traditës muzikore shqiptare si dhe ndikimet ndërkulturore në hapësirat tona. Po ashtu, koleksionet fotografike ruajnë imazhe të jetës sociale, kulturore dhe politike në periudha të ndryshme, pamje banorësh të vendbanimeve shqiptare, na japin pamje të jetës së përditshme e të identitetit kulturor në një dimension më të gjerë sesa libri i shkruar.

Katalogu është rezultat i punës së përkushtuar e të kujdesshme të stafit profesional të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në identifikimin, klasifikimin dhe përshkrimin bibliografik të materialeve në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ai ofron një instrument të domosdoshëm për studiuesit dhe kërkuesit shkencorë, duke i sistemuar thesaret tona kulturore dhe vendosur ato në dispozicion të një audience më të gjerë akademike dhe publike.

Ky botim, si katalog i parë i koleksioneve të veçanta të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, shënon një hap të rëndësishëm në dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë sonë. Ndihemi krenar që katalogu i koleksioneve të veçanta të Bibliotekës Kombëtare po botohet në vitin e 81-të të historikut të këtij institucioni, si shenjë e qëndrueshmërisë dhe e misionit, për ta mbajtur të gjallë të kaluarën dhe për ta bërë atë të qasshme për të sotmen dhe të ardhmen.

 

Parathënia e drejtoreshës së përgjithshme të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha, për katalogun “Thesare të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ‘Pjetër Bogdani’”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekipi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) është dekoruar…